BDI: Komuna e Çairit paguan 1.000 euro në muaj për Haqim Ramadanin, Mexhiti të japë dorëheqje
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj udhëheqjes së Komunës së Çairit, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit Izet Mexhiti, pas publikimit të të dhënave që, sipas tyre, dëshmojnë keqpërdorim të buxhetit komunal. Sipas BDI-së, në platformën Open Finance figuron një pagesë mujore prej rreth 1,000 euro për Haqim Ramadanin, ish-drejtor dhe kandidat për kryetar komune nga një komunë tjetër, transmeton Portalb.mk.
Nga kjo parti pretendojnë se Ramadani nuk është banor i Çairit, nuk kontribuon si taksapagues në këtë komunë dhe nuk ka lidhje me nevojat e qytetarëve lokalë.
Në të njëjtën kohë, BDI thekson se edukatoret dhe mësimdhënëset në çerdhet e Çairit kanë mbetur pa pagesa për gjashtë muaj, duke shtuar se bëhet fjalë për shuma modeste prej rreth 100 eurosh, gjë që, sipas tyre, ka çuar në largimin e stafit nga vendet e punës.
“Open Finance figuron pagesë mujore prej rreth 1,000 euro nga Komuna e Çairit për Haqim Ramadani, ish-drejtor dhe kandidat për kryetar komune nga një komunë tjetër. As nuk jeton në Çair. As nuk është taksapagues i Çairit. As nuk ka lidhje me nevojat reale të qytetarëve të Çairit. Megjithatë, nga buxheti i qytetarëve të Çairit paguhet rregullisht një aktivist partiak, ndërsa edukatoret dhe mësimdhënëset në çerdhet e Çairit kanë mbetur gjashtë muaj pa pagesën prej vetëm 100 eurosh dhe po largohen një nga një nga vendet e punës”, thuhet në reagim.

BDI vlerëson se Mexhiti ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr komunën dhe për të folur për përgjegjësi dhe zhvillim, duke paralajmëruar se nuk do të ndalen me reagimet deri në largimin e tij nga posti.
“Ky është realiteti që e ka krijuar Izet Mexhiti. Para për partiakët ka. Për edukatoret që kujdesen për fëmijët e Çairit nuk ka. Kjo është keqpërdorim moral, politik dhe institucional i komunës. Izet Mexhiti ka humbur çdo kredibilitet për të folur për përgjegjësi, zhvillim dhe kujdes ndaj qytetarëve. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Izet Mexhitit. Nuk do të ndalemi deri në momentin që ai largohet dhe Çairit t’i kthehet dinjiteti institucional”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndërkohë, nga Komuna e Çairit thonë se çdo angazhim është ligjor, transparent dhe i lidhur me punë konkrete.
“Komuna e Çairit informon opinionin publik se të gjitha angazhimet realizohen mbi bazën e procedurave të qarta ligjore, kontratave dhe shërbimeve konkrete të kryera. Çdo person i angazhuar ka detyrime të përcaktuara, ndërsa çdo pagesë është e evidentuar, e dokumentuar dhe plotësisht e verifikueshme. Komuna nuk praktikon dhe nuk do të lejojë angazhime fiktive apo pagesa pa bazë reale. Në përpjekje për të devijuar vëmendjen nga thelbi, po plasohen konstrukte politike që nuk kanë asnjë lidhje me faktet. Në vend që të shtrohet çështja nëse dikush është banor i caktuar, thelbi është nëse puna është kryer dhe në këtë rast ajo është qartësisht e dokumentuar dhe e konfirmuar. Është ironike që pikërisht ata që për vite me radhë nuk vendosën standarde të transparencës, sot përpiqen të mbajnë leksione për llogaridhënie. Dallimi sot është i qartë: çdo proces është i hapur, i verifikueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit publik”, thuhet në reagim.