Bayerni me ofertë konkrete për Xhakën

Edhe pse dukej punë e kryer transferimi i Granit Xhakës te Bayer Leverkuseni gjatë kësaj vere, duket se gjërat kanë ndryshuar në momentet e fundit, raporton Koha.net. Është skuadra e Bayern Munichut që thuhet se ka parakaluar Leverkusenin në garë për Xhakën. Madje, portali “4-4-2” ka shkruar të premten se Bayerni tashmë i ka bërë ofertë konkrete Arsenalit për mesfushorin.

Mësohet se bavarezët janë pajtuar të paguajnë 15 milionë euro, sa po kërkon Arsenali për kartonin e Xhakës, ndërsa edhe mesfushorit i kanë bërë ofertë. Atij i është ofruar kontratë trevjeçare me opsionin e vazhdimit për vitin e katërt, duke bërë që gjërat të ndryshojnë tërësisht në lidhje me transferimin e Xhakës. Më herët ishte raportuar se Xhaka kishte arritur marrëveshje personale me Leverkusenin, ekip që i kishte ofruar kontratë pesëvjeçare, por kërkesa e Arsenalit prej 15 milionë eurosh për ta lënë të lirë është vlerësuar e lartë nga ekipi i Bundesligës. Në rast se Bayerni finalizon marrëveshjen me Xhakën, atëherë ai do të jetë zvicerani i pestë që do të bëjë karrierë për ekipin bavarez pas Ciriaco Sforzas, Alain Sutterit, Xherdan Shaqirit e Yann Sommerit. Kjo nuk është herë e parë që emri i Xhakës lidhet ngushtë me një kalim eventual te Bayerni, pasi vite më parë ishte ish-selektori i Zvicrës dhe ish-trajneri i Bayernit, Ottmar Hitzfeld, që kishte propozuar 30-vjeçarin te skuadra bavareze si opsion të mirë për mesfushën.

“Bayerni gjithmonë e ka monitoruar Xhakën. Ai gjithmonë është temë diskutimi në top ekipet e madhe të Evropës”, kishte thënë ndër të tjera Hitzfeld.

Në fakt, Bayerni pritet të përforcohet në këtë repart gjatë kësaj vere dhe Xhaka po shihet si lojtar që mund ta shtojë cilësinë në këtë repart pas paraqitjeve të mira që i ka treguar këtë edicion tek Arsenali. Xhaka javën e shkuar ka paralajmëruar largimin nga Arsenali, ekip për të cilin luajti prej vitit 2016. Këtë edicion, Xhaka ishte ndër më të dalluarit në ekipin londinez dhe pati ndoshta paraqitjet më të mira në karrierën e tij. Në 47 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, Xhaka kontribuoi me 9 gola dhe 7 asistime, ndërsa Arsenali përfundoi nënkampion i Premier Leagues dhe siguroi kthimin në Ligën e Kampionëve pas një periudhe të gjatë. Xhaka u pati transferuar tek Arsenali para shtatë vjetësh nga skuadra e Borussia Moencheglbadbachut për 45 milionë euro, ndërsa kontrata aktuale i skadon vitin e ardhshëm. Në fakt, situatën e Xhakës po e monitoron edhe ekipi tjetër nga Bundesliga, Borussia Dortmundi edhe pse ende nuk e ka bërë ndonjë lëvizje konkrete në lidhje me këtë çështje. Xhaka është kapiten i Përfaqësueses së Zvicrës dhe deri më tani ka regjistruar 113 paraqitje, ku ka realizuar 13 gola. Bayerni së fundmi ka vendosur rekord të ri në Bundesligë, me 11 tituj të fituar radhazi. Xhaka si lojtar është zhvilluar te Baseli, ekip prej të cilit u largua në vitin 2012 për ta vazhduar ngritjen në karrierë.