Bashkimi Evropian me tarifa të përkohshme ndaj automjeteve elektrike kineze

Bashkimi Evropian do të vendosë tarifa ndaj automjeteve elektrike të importuara nga Kina, tha të enjten zëdhënësi i Komisionit Evropian, raporton Zëri i Amerikës. Kjo masë vjen pas një hetimi që zbuloi se automjetet elektrike që prodhohen në Kinë mbështeten nga subvencionimeve të padrejta financiare, që përbëjnë kërcënim për prodhuesit evropianë dhe dëmtojnë tregun evropian për automjetet elektrike.

“Vendosja e tarifave nuk është qëllim në vetvete. Por është një mjet për të korrigjuar situatën e një konkurrence të padrejtë dhe të pabarabartë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

“Na nevojitet një zgjidhje që korrigjon avantazhin e padrejtë që u është dhënë prodhuesve në Kinë”, shtoi ai.

Hetimi 9 mujor i kryer nga Komisioni Evropian përfshiu vizita në Kinë, diskutime më disa entitete të prekura, si edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian po ashtu tha se mirëpriste faktin që konsultimet me qeverinë kineze po vazhdojnë me qëllim që të arrihet një zgjidhje që është në përputhje me parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë.