Bashkimi Evropian e hapi rrugën për krijimin e euros digjitale, si përgjigje ndaj dominimit të kartelave të pagesës
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka siguruar mbështetjen parlamentare për lançimin e euros digjitale, mjet elektronik pagese që synon ta bëjë eurozonën më pak të varur nga kartelat amerikane të kreditit në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike po tensionohen, transmeton Portalb.mk.
Euroja digjitale, në thelb një portofol elektronik i garantuar nga banka qendrore, por i ofruar në treg nga bankat ose kompanitë ‘fintech’, do t’u mundësojë të gjithë banorëve të eurozonës të kryejnë pagesa si online ashtu edhe fizikisht.
Pas gjashtë vitesh zhvillimi, paraja digjitale e BQE-së është bërë çështje më urgjente që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, duke vendosur tarifa doganore edhe ndaj partnerëve tradicionalë tregtarë si Bashkimi Evropian dhe duke shtuar frikën se Shtetet e Bashkuara një ditë mund ta përdorin dominimin e tyre mbi rrjetet e pagesave si Visa dhe Mastercard.
Miratimi i draft-rregullave nga Komiteti për Çështje Ekonomike i Parlamentit Evropian vjen pas tre vitesh përplasjesh mes BQE-së dhe bankave, të cilat ishin të shqetësuara për largimin e depozitave dhe humbjen e të ardhurave, duke u përpjekur të kufizonin shtrirjen e projektit.
“Futja e euros digjitale do të zvogëlonte varësinë e tepruar nga ofruesit joevropianë të shërbimeve, duke u bërë një mjet pan-evropian pagese dhe do ta sillte monedhën e përbashkët në epokën digjitale, duke u dhënë qytetarëve të Unionit lirinë për të zgjedhur të paguajnë me para të bankës qendrore në transaksionet e tyre të përditshme”, thuhet në draft-rregullore.
Zigbert Frank Droese nga grupi politik i së djathtës ekstreme “Evropa e Kombeve Sovrane” në Parlamentin Evropian tha se grupi i tij votoi kundër propozimit, duke rritur gjasat që të nevojitet votim shtesë në seancën plenare të Parlamentit.
Nëse nuk ka kundërshtime në seancën plenare, eurodeputetët pritet të nisin muajin e ardhshëm negociatat me Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian, me synimin për miratimin përfundimtar deri në fund të vitit.
BQE-ja, e cila planifikon të zhvillojë projekt pilot 12-mujor për euron digjitale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, përpara lançimit të plotë në vitin 2029, deklaroi se pret me padurim që Parlamenti të miratojë qëndrimin e tij përfundimtar.
Jashtë eurozonës, Kina po teston në shkallë të gjerë juanin digjital, ndërsa vende si India dhe Brazili kanë zhvilluar prova të ngjashme. Mbretëria e Bashkuar është përqendruar kryesisht në kërkime, për shkak të shqetësimeve lidhur me privatësinë, stabilitetin financiar dhe ndikimin në sektorin bankar, ndërsa presidenti amerikan Trump ua ka ndaluar Rezervës Federale emetimin e një monedhe digjitale.
Ashtu si Këshilli Evropian më herët, edhe Parlamenti Evropian ka vendosur masa mbrojtëse për bankat që frikësohen nga tërheqja e depozitave.
Eurodeputetët propozojnë që Komisioni Evropian të vendosë se sa euro digjitale mund të mbajë secili përdorues, bazuar në rekomandimet e BQE-së, dhe që ky kufi të rishikohet të paktën çdo dy vjet.
Bizneseve nuk do t’u lejohet të mbajnë euro digjitale për më shumë se 24 orë. Euroja digjitale nuk do të gjenerojë interes dhe nuk do të ketë kosto për përdoruesit.
“Propozimi pasqyron kompromiset politike”, tha Laura Casonato, drejtuese e politikave në Positive Money Europe, organizatë që avokon për reformën monetare. “Ai i mban bankat komerciale në qendër të shpërndarjes, me vetëm një rol të kufizuar për kanalet publike dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve, dhe nuk shkon aq larg sa ta paraqesë euron digjitale si një alternativë të vërtetë ndaj depozitave bankare.”
Këto lëshime ka të ngjarë të kenë qenë vendimtare për të bindur kritikët si Fernando Navarrete Rojas, negociator i Parlamentit për këtë dosje, i cili së fundmi hoqi dorë nga kundërshtimi i tij ndaj mundësisë që euroja digjitale të jetë e qasshme përmes internetit.
Sipas simulimeve të BQE-së, kursimtarët mund të tërheqin deri në 699 miliardë euro nga bankat e eurozonës nëse kufiri për mbajtjen e euros digjitale vendoset në 3.000 euro për person. Kjo përfaqëson 8,2 përqind të të gjitha depozitave të kërkueshme me pakicë, megjithëse ndikimi do të ishte më i madh për bankat më të vogla dhe kreditorët lokalë.