Rusia është drejt dobësimit ushtarak, ekonomik dhe social pas katër viteve luftë

Pas më shumë se katër viteve të një lufte agresioni kundër Ukrainës, Rusia po përballet mit vështirësi gjithnjë e më të mëdha në frontet sociale, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike, të cilat po kontribuojnë në perceptimin se fuqia ruse po dobësohet dhe po minojnë retorikën triumfaliste të Moskës. Në aspektin ushtarak, sulmet masive ruse me dronë e raketa dhe lëshimi i fundit i raketës balistike Orechnik në Ukrainë shfaqen si përpjekje për të fshehur vështirësitë në terren, pasi përparimi i forcave të saj të armatosura është ngadalësuar ndjeshëm ose ka ndryshuar drejtim që nga fundi i vitit 2025, shkruan Portalb.mk.

Sipas një ankete konfidenciale të rrjedhur nga instituti zyrtar VTsIOM, e porositur nga administrata presidenciale, kjo situatë shpjegohet me humbjet e mëdha prej 35,000 personash në muaj karshi vetëm 30,000 rekrutëve të rinj, gjë që po detyron autoritetet të vazhdojnë me mobilizimin e fshehtë përmes kuotave nëpër kompani e universitete dhe rekrutimin e shtetasve të huaj nga Azia Qendrore dhe Afrika Sub-Sahariane.

Përveç kësaj, bumi teknologjik i dronëve ukrainas që godet infrastrukturën e mbrojtjes dhe atë energjetike thellë në territorin rus, si dhe bllokimi i terminaleve Starlink dhe i shërbimit të mesazheve Telegram, po shkaktojnë ndërprerje afatgjata në zhvillimin e operacioneve ushtarake ruse.

Në planin ekonomik, Rusia është kapur në një spirale rënëse ku ekonomia civile po mbytet nga shkalla e lartë e interesit prej 14.5 përqind e vendosur nga Banka Qendrore ruse, duke rritur falimentimet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sanksionet ndërkombëtare dhe mbinxehja ekonomike kanë sjellë stagflacion, ku rritja ekonomike për vitin 2025 pritej të ishte vetëm 1 përqind, inflacioni mbetet në 5.6 përqind, ndërsa dy muajt e parë të vitit 2026 parashikojnë rritje negative.

Tregu i punës po përballet me largimin e 650,000 njerëzve me arsim të lartë, gjë që ka çuar në një deficit publik prej 2.6 përqind të PBB-së në vitin 2025 dhe në rritjen e TVSH-së nga 20 në 22 përqind më 1 janar 2026, duke shtyrë Vladimir Putin që më 15 prill të kërkojë sqarime publike nga autoritetet për këto mangësi. Të ardhurat e gjeneruara nga rritja e çmimeve të hidrokarureve që nga fillimi i luftës në Iran gjithashtu nuk mjaftojnë për të mbuluar këtë deficit strukturor.

Në planin shoqëror, pakënaqësia po rritet për shkak të ndërprerjeve të internetit, ndalimit të Telegramit që nga 1 prilli, keqmenaxhimit të përmbytjeve në Dagestan, asgjësimit masiv të gjedhëve në Siberi dhe rënies së vlerësimit të popullaritetit të presidentit rus sipas institutit zyrtar VTsIOM nga 75 përqind në shkurt, në 65.6 përqind në prill të vitit 2026, pasi 56 përqind e rusëve deklarojnë se janë shumë të lodhur nga operacioni special ushtarak.

Reagime të forta janë vërejtur si brenda komunitetit të korrespondentëve të luftës (“voenkory”), ashtu edhe te publiku i gjerë, siç ilustrohet nga rasti i ndikueses ruse V. Bonya, videoja e së cilës në Instagram arriti mbi 30 milionë shikime edhe pse kjo platformë mbetet e ndaluar. Megjithatë, edhe pse Ukraina po mbron terrenin e saj, balanca e fuqisë mbetet në favor të Rusisë, gjë që sipas raporteve nënkupton nevojën për të rritur presionin ndërkombëtar përmes sanksioneve, luftës së informacionit dhe luftimit të flotës fantazmë.