Banori i Gallatës sulmoi fizikisht dhe verbalisht një gazetar, reagoi ShGM
Ekipi i Televizionit Alsat gjatë raportimit në fshatin Gallatë të Komunës së Vrapçishtit është sulmuar fizikisht dhe verbalisht nga një banor i fshatit. Të njëjtit i ka penguar raportimi i televizionit Alsat dhe mediave të tjera duke i akuzuar pabazë ato për nxitje dhe raportim jo objektiv.
“Kamerat nuk jeni të mirëseardhura këtu. A ke leje për të incizuar këtu? Po kam! Më trego lejen. Me trego çfarë leje keni. Merrni veturat dhe të mos ju shoh këtu. Neve këtu kemi bashkëjetesë me të gjithë. Për këtë arsye kemi ardhur edhe ne. Ka kush flet këtu. Kisha ka udhëheqësi dhe ajo do të flet. Ikë dhe më padit lirisht. Të lutem mos më prek se nuk ke të drejtë. Ky është vend publik dhe unë kam të drejtë. Nuk ke të drejtë. Shko në televizion. Nëse mendon se më frikëson, gabohesh. Mos nxit. As ti nuk më frikëson. Nuk mund as në ….. të më frikësosh. Të lutem kujdes me fjalët, nuk kemi ardhur për sherr. Ikë shporru, nuk jeni të mirëseardhur në fshat”.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ndërkohë reagoi ndaj pengimit të gazetarëve dhe punëtorëve mediatik në kryerjen e punës nga persona të papërgjegjshëm, banorë të fshatit Gallate, komuna e Vrapçishtit.
Sipas informacioneve të arritura deri tek SHGM nga kolegë gazetarë dhe punonjës të medias, sot gjatë marrjes së deklaratave dhe incizimeve të inserteve, ekipet e TV ALSAT dhe TV21 janë sulmuar verbalisht dhe janë penguar të kryejnë punën e tyre profesionale në një hapësirë publike.
“Duam të theksojmë qartë se qasja ndaj gazetarëve dhe mediave që punojnë në terren është e një rëndësie të veçantë për lirinë e informimit dhe të shprehjes në një shoqëri demokratike. Presim që të ketë një hetim të shpejtë për incidentin në mënyrë që përgjegjësit të bartin pasojat dhe në të njëjtën kohë të parandalohen dhe demotivohen incidente të tilla në të ardhmen. Theksojmë se pengimi i gazetarëve dhe punonjësve të medias në kryerjen e detyrave të tyre profesionale është i papranueshëm dhe kontribuon në censurë”, thonë nga SHGM.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar sot ngjarjet rreth kishës në Shën Petka në fshatin Gallatë të Gostivarit, duke paralajmëruar se në të ardhmen “do të ketë incidente të tilla”. Ditën e djeshme mediat raportuan se më 9 shtator policia dhe prokuroria janë dërguar për të arrestuar personat që po tentonin të pastronin dhe rinovonin kishën pranë fshatit Gallatë. Prokuroria Publike mohoi se prokuror publik kishte lëshuar urdhër arresti.