Janevska: Për shkak të emigrimit ka tepricë të mësimdhënësve
Në programin parazgjedhor Qeveria bëri një strategji se si mësimdhënësit që i kemi t’i bëjmë funkcionalë që të mbesin në procesin arsimor, tha ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, si përgjigje në pyetjen e parashtruar nga gazetarët, transmeton Portalb.mk.
Sipas saj, emigrimi masiv nga vendi ka shkaktuar tepricë të mësimdhënësve, për të cilët ministrja është e mendimit se duhet të jenë funksionalë.
“Strategjia është puna me një turn, qëndrimi më i gjatë i nxënësve dhe mësimdhënësve, si dhe mësimi tërëditor, i cili është treguar si shumë efikas në më shumë vende. Kur të bëjmë klasa normale, e jo klasa me dhjetë apo pesëmbëdhjetë nxënës, por, të themi, do t’i zvogëlojmë në njëzet”, tha Janevska në diskutimin në panel “Arsimi i udhëhequr nga nevojat reale të nxënësve – investim i zgjuar në kuadrot mësimore dhe në infrastrukturë” të organizuar nga Shoqata për hulumtim dhe analizë ZMAI.
Ministrja tha se mësimdhënësi që është tepricë do të vazhdojë të punojë në gjysmën e dytë të ditës sipas programit që përfshin shumë lëndë shtesë, zgjedhore, aktivitete jashtëshkollore, punë me fëmijë të talentuar.
“Ideja është që të shfrytëzohet i gjithë fondi i mësimdhënësve që nxënësit të fitojnë njohuri më të mira”, tha Janevska.
Ministrja e arsimit tha edhe se mësimdhënësve do t’u ofrohet mundësia për t’u transferuar në punë në institucione të caktuara arsimore që kanë mungesë sa i përket burimeve njerëzore, siç janë Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve dhe Qendra për Arsim të Mesëm Profesional.
“Pasi të bëjmë disa ndryshime të vogla në ligje ne do t’u ofrojmë mësimdhënësve që të transferohen në këto institucione që të mund ta realizojnë ndikimin e tyre në arsim, pra ta përcjellin përvojën dhe njohuritë e tyre tek ata mësimdhënës që kanë nevojë për trajnim dhe ndihmë. Procesi është tejet i madh dhe i komplikuar, por bashkë me partnerët tanë të huaj kemi energji dhe vullnet për të bërë diçka që ta përmirësojmë arsimin në përgjithësi”, tha Janevska.
Sa i përket projektit për optimizimin e shkollave Janevska tha se pret një efekt të fuqishëm në përmirësimin e njohurive të nxënësve. Sipas saj, në arsim nuk ka përmirësim nëse nuk racionalizohen shpenzimet.
“Shkollat ku ka dy, tre apo dhjetë fëmijë do të duhet që nxënësit tu bashkohen shkollave qendrore ku ka më shumë nxënës që të përfitojnë nga sistemi arsimor. Së pari, ata do të shoqërohen me nxënës të moshës së tyre, do të akomodohen në kushte më të mira infrastrukturore, do të kenë mjete teknike dhe informatike që do të mund t’i përdorin, do të kenë një numër më të madh mësimdhënësish, do të largohen nga mjedisi i tyre ku janë të bllokuar gjatë gjithë ditës dhe do të shoqërohen me fëmijë të tjerë, e kështu do të mund të zhvillojnë aftësi konkurruese. Kjo do të thotë se presim që ky proces t’u mundësojë nxënësve të fitojnë njohuri, aftësi dhe kompetenca më të mira”, tha ministrja e arsimit.
Janevska tha se deri më tani me ndihmën e UNICEF-it dhe Bankës Botërore është bërë optimizimi në dhjetë komuna, ndërsa paralajmëroi se projekti i radhës parasheh optimizim edhe në njëzet komuna të tjera.
Ndryshe, përfaqësuesja e UNICEF-it në vend, Leslie Miller, thotë se Maqedonia po përballet me krizë në mësim dhe sipas vlerësimeve të fundit të PISA-s, mbi 2/3 e nxënësve kanë rezultate të dobëta në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore.
“Një nga faktorët kyç është koha e pamjaftueshme e shpenzuar për të mësuar. Nxënëst në Maqedoni kanë shpenzuar rreth 900 orë duke më pak më pak se mesatarja. Sistemi arsimor nuk e ka përshtatur plotësisht mënyrën e organizimit të burimeve, për shembull strukturën e shkollës, stafin mësimor dhe financimin e shkollës. Ka shumë mundësi për përmirësimin e situatës”, tha ajo para manifestimit “Arsimi i udhëhequr nga nevojat reale të nxënësve – investim i zgjuar në stafin mësimor dhe infrastrukturë” organizuar nga Shoqata për kërkim dhe analizë ZMAI.