Rasti në fshatin Gallatë nxit tensionet etnike, Mickoski paralajmëroi për incidente të reja
Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar sot ngjarjet rreth kishës në Shën Petka në fshatin Gallatë të Gostivarit, duke paralajmëruar se në të ardhmen “do të ketë incidente të tilla”. Ditën e djeshme mediat raportuan se më 9 shtator policia dhe prokuroria janë dërguar për të arrestuar personat që po tentonin të pastronin dhe rinovonin kishën pranë fshatit Gallatë. Prokuroria Publike mohoi se prokuror publik kishte lëshuar urdhër arresti, transmeton Portalb.mk.
Po ashtu, disa persona dje në mbrëmje kanë protestuar para komunës së Vrapçishtit. Rreth dhjetë persona kanë hyrë në ndërtesë dhe pasi kanë refuzuar të largohen, dy prej të pranishmëve janë arrestuar. Ata janë liruar nga stacioni policor pas disa orësh.
Ndonëse kryeministri në deklaratën e tij apeloi që të mos ndizen tensione ndëretnike dhe ndërfetare, komenti i tij nuk duket të jetë tërësisht në drejtim të qetësimit të situatës.
“Gjithë kohës paralajmëroj se nuk duhet luajtur me kartën etnike dhe fetare, sepse kjo është karta në të cilën këta kriminelë, të cilët kanë fituar në kurrizin e popullit vitet e fundit, do të përpiqen të shkaktojnë destabilitet. Këto janë incidente të tilla të izoluara që do të pasojnë. E dëgjuat edhe deklaratën e peshkopit. Nga incidente të tilla distancohen edhe banorët e fshatit Gallatë. Por ajo që është interesante është se në rrjetet sociale janë shfaqur disa fotografi të njërit prej personave që e shfaqin atë në shoqërinë e personazheve aktivë politik, nëse kemi parasysh prejardhjen politike dhe mbështetjen e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, por edhe struktura policore që është në SPB të Gostivarit, atëherë shumë lehtë mund të arrihet në përfundimin se kjo është pjesë e atij folklori që po përgatitet për mbjelljen e intolerancës etnike, fetare dhe tentativës për destabilizimin”, tha kryeministri në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Më vonë në deklaratë Mickoski saktëson se bëhet fjalë për një deklaratë të dioqezës së Gostivarit, por nuk specifikon se për cilën deklaratë bëhet fjalë. Meta.mk nuk ka gjetur deklaratë relevante nga peshkopi Josif Pollogski në 24 orët e fundit që i referohet këtij rasti.
Më pas, Mickoski shkon në mendimin e tij për arsyet e një ngjarjeje të tillë, ku njofton se dëshiron të ndryshojë ligjin për policinë që të emërohen udhëheqës që kanë më pak se pesë vjet përvojë në pozitë të lartë.
“Dhe këto lloj incidentesh do të ndodhin në periudhën në vijim. Pse? Sepse ne si Qeveri nuk mundemi duke marrë parasysh ndryshimet e fundit në Ligjin për Policinë dhe Ligjin për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndryshimet në strukturat drejtuese, sepse janë të kufizuara në pesë vite përvojë në një post të lartë, ju i dini shtatë vite që ishin me ne në Qeverinë e Maqedonisë, kështu që në dy-tre muajt e ardhshëm do të duhet të bëhet një ndryshim në atë ligj për të sjellë një ndryshim në ato struktura menaxhuese në mënyrë që ne të mund të kontrollojmë realisht situatën”, tha kryeministri.
Reagim ka pasur edhe nga Aleanca për Shqiptarët, e cila gjithashtu nuk gjen asnjë përpjekje për të qetësuar tensionet ndëretnike.
“Skenaret e këtilla për ngritje të tensioneve tanimë janë letër e lexuar e VMRO-së dhe Qeverisë monoetnike e cila kohë pas kohe, ashtu si në Kodrën e Diellit, tenton të mbjell kryqa dhe kisha edhe në vendvanime të tjera. Por, ajo që duhet t’i sqarohet opinionit është cila ka qenë lidhja dhe roli në këtë skenar i Arben Taravarit dhe pasardhësit të tij në krye të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Me këtë të fundit, Pavllovski ka publikuar fotorafi ku tregon afërsinë e ngushtë që kanë dhe mund të shihet qartë se bëhet fjalë për raporte të fuqishme mes dy personave në fjalë. Ndërkohë për qytetarët e Gostivarit është fakt i njohur edhe lidhja e ngushtë e Taravarit me Pavllovskin shumë kohë më parë”, thuhet në njoftimin e partisë.
Tutje, VMRO-DPMNE akuzohet se ka mobilizuar “militantët” të cilët kanë bllokuar objektin e komunës.
Më shumë detaje për gjendjen e plotë mund të gjeni në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të lëshuar mbrëmë vonë.
Siç sqaron MPB, kallëzimi fillestar është hapur nga një inspektor urbanistik në komunën e Vrapçishtit për ndërtime pa leje më 9 shtator, ditën kur është regjistruar video që qarkullonte në rrjetet sociale, kur rreth kishës kishte automjete të policisë. Pas përfundimit të inspektimit, vendi u rrethua me armaturë dhe shirit nga inspektori i ndërtimit.
Të nesërmen, sipas MPB-së, personi D.P. i shoqëruar nga disa shtetas të tjerë, kanë hequr mburojnë dhe shiritin. Grupi me D.P. shkoi në komunë për të protestuar. Njëkohësisht, një pjesë të shiritit policor të cilin e kanë hequr, e kanë ngjitur në derën e hyrjes së komunës, duke kërkuar nga kryetari Isen Shabani që t’i priste për bisedë.
Nga MPB thonë se Shabani ka pranuar t’i priste, por me kusht që të mos e incizojnë bisedën. Qytetarët refuzuan ta bëjnë një gjë të tillë, pas së cilës kryetari i komunës u kërkoi që të largohen nga ndërtesa. Pasi nuk janë larguar nga ndërtesa, janë urdhëruar nga policia. Sipas MPB-së, personi D.P. dhe një person tjetër kanë bërë rezistencë dhe më pas janë ndaluar në Stacionin Policor Gostivar. Pas një bisede zyrtare me ta dhe konsultimit me prokurorin publik, ata janë lejuar të shkojnë.
“Ministria e Brendshme apelon që të përmbahen nga çdo tension lidhur me këtë ngjarje. Çdo nxitje e tensioneve ndëretnike dhe ndërfetare qoftë në hapësirën publike apo përmes mediave sociale do të jetë subjekt i ndjekjes penale nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në një intervistë për televizionin “Telma” tha se Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) nuk ka informacione se do të ndërmerren aktivitete ndërtimore në afërsi të kishës.
“Gjithçka që ndodhi, sipas asaj që pashë, të paktën në regjistrimet e publikuara, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e pasuksesshme, mund të them, për të nxitur tensione ndëretnike,” tha Toshkovski.
Ka reaguar edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili ka theksuar se Maqedonisë nuk i duhen incidente, veçanërisht jo në sferën e marrëdhënieve ndëretnike.
“Absolutisht nuk duhet të luajmë me të drejtën e fesë”, tha Spasovski. Ai mendon se institucionet e sistemit duhet t’i zgjidhin çështje të tilla, pavarësisht nëse është KOM, BFI, Kisha Katolike, pushteti lokal dhe pushteti qendror”
“Zgjidhja duhet të arrihet me dialog”, tha Spasovski.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë justifikim për llojin e strukturave aktuale apo të mëparshme.
“Në policinë e Maqedonisë nuk mund të ketë struktura të tanishme apo të kaluara, ajo duhet t’u shërbejë qytetarëve”, konsideron Spasovski.