Banorët e Vizbegut protestuan për hapjen e shkollës

Një pjesë e banorëve të Vizbegut të shoqëruar nga shumë fëmijë të kësaj lagjeje kanë protestuar para shkollës së re fillore “Vizbeg”, shkruan Alsat.

Tashmë tre javë shkolla mbetet nën dry dhe akoma nuk ka nisur me procesin mësimor pavarësisht regjistrimit të nxënësve në klasë të parë dhe transferimit të nxënësve tjerë nga shkollat ku kanë mësuar deri më tani.

Të revoltuar, prindërit thanë se institucionet përgjegjëse po tallen me fatin e këtyre fëmijëve.

Kohë më parë, drejtori Kadri Elezi tha se mësimi nuk ka nisur për shkak të mungesës së stafit mësimor duke shtuar se po vijojnë procedurat për punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër të nevojshëm.

Që nga viti 2012 e këndej, për këtë shkollë janë bërë një maratonë premtimesh.

Në vitin 2012, kryetari i atëhershëm i Komunës së Butelit, Petre Latinovski paralajmëroi se, në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore. Ai tha atëherë se, ky objekt shkollor do të fillojë të ndërtohet pasi të përpilohet plani detal urbanistik për këtë pjesë. Ai duke prezantuar planin e ri detal urbanistik, tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

Në vitin 2016, ish ministri i arsimit i  Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në shkurt të vitin 2017, u tha se në muajin mars pritet të hidhet gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg. Madje, atëherë nga Ministria e Arsimit thanë se, në buxhetin për vitin 2017 është paraparë ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg.

Në vitin 2019, ish ministri Arbër Ademi tha se pritet vetëm leja nga Komuna e Butelit për ndërtimin e objektit të shkollës së re.

Ndërtimi i objektit të shkollës filloi në vitin 2022. Edhe pse disa herë ishte paralajmëruar hapja e objektit, nxënësit e kësaj lagje, vazhdojnë të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Për të mbërritur në shkolla, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra.

Shkolla e re në Vizbeg ende e mbyllur, nuk dihet sa nxënës do të ketë

Ende nuk dihet numri i saktë i nxënësve që do të ndjekin mësimin në shkollën e re të Vizbegut, e cila zyrtarisht pritet të nisë me punë këtë shtator, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Nga Komuna e Butelit thanë se për momentin 37 nxënës tashmë janë regjistruar në klasë të parë që do të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa në procedurë vijon kompletimi i listës për nxënësit deri në klasë të pestë me mësim në shqip.

Gjithashtu, nga komuna bën të ditur se në shkollën e re të Vizbegut mësimin do ta ndjekin edhe rreth 40 nxënës nga klasa e dytë deri atë të pestë me mësim në gjuhën maqedonase të cilët transferohen nga shkolla periferike “Shën Klimenti i Ohrit”.

Dyert e shkollës së re të Vizbegut edhe sot ishin të mbyllura. Në to nuk kishte të varur as një njoftim rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Banorët shprehen të shqetësuar për mosinformimin me kohë të fillimit të vitit të ri shkollor. Madje, ankohen për shumë mungesa që kanë të bëjnë me këtë objekt.

“Fëmijët, në rend të parë do të ballafaqohen me mungesë ndriçimi, tash edhe pak është kohë vjeshte, vjen dimri, mungon sinjalizimi, mungon asfalti, mungojnë kontejnerët për mbeturina. Tash, shkolla duhet të jetë e hapur, me informim, me lajmërime të punëtorëve kush sa klasë, gjithçka duhet të jetë në rregull edhe duhet me vendos ndonjë njoftim për këto. Ndoshta edhe ne pak po nxitojmë, të themi se është herët por nuk është herët se duhet të bëhen përgatitje para se të fillon viti I ri shkollor, nëse e presim vitin e ri shkollor do të bëhet vonë, do të shkoj një muaj mbrapa jo ka kushte jo ska kushte”, tha Nebi Ibrahim, këshilli i prindërve.

Në shkollën fillore “Adem Jashari” në Çair mësojnë 47 nxënës të Vizbegut nga klasa e parë deri atë të nëntë. Drejtoresha Fitore Qirezi tha se prindërit akoma nuk kanë kërkuar fletshpërngulje nga kjo shkollë për tu transferuar në Vizbeg.

“Ne kemi përgatit një listë me 24 nxënës, nga klasa e parë deri nëtë pestën dhe me të gjitha shënimet, varësisht moshës së nxënësve, sipas klasës, kemi dërgu listën përmes komunës për nxënësit e Vizbegut që ndjekin mësimin në shkollën tonë. Shkolla më afër është lehtësim edhe për nxënësin edhe për prindin edhe për të gjithë. Mirëpo, pakohet numri I nxënësve por lehtësimi ynë më I madhë është që atyre ju bëhet zgjidhja”, u shpreh Fitore Qirezi, drejtoreshë e sh.f “Adem Jashari”.

Fillimisht mësimin në objektin e ri shkollor në shkollën fillore “Vizbeg” do të ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë.

Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, qindra nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tri komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Për të mbërritur në shkolla, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra.

Kujtojmë se për këtë shkollë që nga viti 2012 e këndej janë bërë një maratonë premtimesh.