Banorët e Shuto Orizarit të lënë në mëshirë: Pa autobus pas orës 10

Në komunën e Shuto Orizarit, në të cilën sipas regjistrimit të fundit, jetojnë më shumë se 25 mijë banorë, nuk ka transport të rregullt publik. Qytetarët detyrohen çdo ditë të organizohen në grupe dhe të përdorin transportin me vetura private, për të cilat paguajnë 50 apo 100 denarë në një drejtim, varësisht se ku shkojnë me makinë. Autobusët me numër 19 dhe 20 funksionojnë në këtë komunë, por vetëm deri në orën 10:00. Transporti është reduktuar sepse, siç thonë transportuesit privatë, ndërmarrja komunale – Shkup u ka borxh 140 milionë denarë, gjë që NTP e mohon, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përderisa NTP-ja dhe kompanitë private “luftojnë”, qytetarët ngarkohen duke paguar dyfish, madje trefish çdo ditë për transportin në komunat e tjera, për të shkuar në fakultet apo në punë.

Në këtë komunë ka qenë një ekip i Meta.mk-së dhe banorët me të cilët kemi biseduar thonë se problemi vazhdon prej muajsh. Nxënësja e shkollës së mesme Medina thotë se gjatë vitit shkollor ajo dhe shoqet e saj e kanë gjetur në çdo mënyrë transportin për në shkollë.

“Unë mësoj në shkollën e hotelierisë. Ne duhej të bënim një praktikë në një hotel në Qendër. Çdo ditë shkoja dhe kthehesha në këmbë sepse nuk kisha transport as për të shkuar e as për t’u kthyer. Ndonjëherë merrnim më shumë njerëz me taksi, por nuk kam mundësi të marr taksi gjatë gjithë kohës, nuk punoj”, thotë nxënësja.

Salia Bekir nuk banon aty, por pothuajse çdo ditë udhëton për në Shuto Orizar për punë.

“Autobusët nuk janë të rregullt. I përdorja shpesh kur ishin në dispozicion. Higjiena në to është në nivel shumë të ulët. Ka sedilje te thyera, nuk jane me kondicioner. Është një autobus me numrin 20, ke ndjesinë se do të prishet në rrugë teksa hip aty. Autobusët janë të pasigurt, shoferët shpesh dinë të hapin dyert gjatë vozitjes, ekziston rreziku që dikush të bjerë. Ndonjëherë ata nuk shkojnë deri në stacionin e fundit të 20-tëshit, por ndalojnë në burg, kështu që pasagjerët duhet të shkojnë në këmbë deri në shtëpitë e tyre,” thotë Bekir.

Elvis Sali, një tregtar në Shuto Orizar, konfirmon se problemi vazhdon prej kohësh.

“Nusja dhe gruaja ime punojnë në Qendër. Në punë shkojnë me taksi, një rrugë për në Bit Pazar është 50 denarë. Ndonjëherë detyrohen të presin autobusin, nuk kanë zgjidhje, por autobusi nuk vjen”, thotë Sali.

Kemi folur edhe me Senada Jasharin nga Nisma për të Drejtat e Gruas nga Shuto Orizari, e cila jeton në këtë komunë.

“Shumica e grave shkojnë për të punuar në komunat tjera. Meqë nuk ka autobusë, ata paguajnë taksi për të shkuar në punë – 50 denarë në Bit Pazar ose në Postë, dhe nëse gruaja duhet të shkojë në punë, p.sh. në Karposh ose në Aeroport, çmimi është 100 denarë e më shumë. Ky është vërtet një problem serioz që duhet zgjidhur në afat të gjatë”, thotë Jashari.

Transportuesit privatë: Nëse nuk ka para së shpejti, nuk do të vozisim fare

Meta.mk ka folur edhe me përfaqësues të kompanive private, të cilët nuk kanë dashur të flasin me emër nga frika se NTP-ja nuk do t’ua paguajë borxhin që ata të funksionojnë normalisht.

“Ne e kemi adresuar problemin tonë te të gjitha institucionet. Pa para për 6 muaj, gjithsej rreth 140 milionë denarë, për të gjithë transportuesit. Ne i kërkojmë paratë e tyre. Ne vozisim në mënyrë të reduktuar, më së voni deri në orën 11 që njerëzit të shkojnë në punë, studentët të shkojnë në provime. Nëse nuk lëshojnë para së shpejti, ne nuk do të vozisim fare. Janë disa premtime se diçka e vogël do të na kalojë, por kjo nuk do ta zgjidhë problemin. Çfarë duhet të bëj me ato para, të mbush naftë, të blej ushqim për shtëpi, të paguaj faturat. Si mund të jem shërbim për qytetin dhe si mund t’u shërbej qytetarëve?”, pyet transportuesi për Meta.mk.

Ai shton se nuk përjashtohet mundësia e protestave nëse problemi i kompanive private nuk zgjidhet shpejt.

Ndërkaq, Kompania e Transportit Publik ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se “transportuesit privatë do të vazhdojnë të qarkullojnë sipas orarit”. Nga aty mohojnë se NTP u ka borxh 140 milionë denarë kompanive private.

“Duhet të theksojmë se nuk ka borxh prej 140 milionë denarë ndaj transportuesve privatë. Të arkëtueshmet rrjedhëse në NTP janë 34 milionë dhe paradhëniet paguhen rregullisht dhe ky nuk është problem serioz, sepse vazhdimisht kërkohen shuma të mëdha për shkak të kostos së lartë të naftës, pra çdo muaj faturohen afërsisht 35 milionë nga transportuesit në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.

Nga aty kanë bërë të ditur se nëse transportuesit ndalojnë ofrimin e shërbimit për qytetarët, NTP do të detyrohet të iniciojë padi përkatëse për kompensimin e dëmit material për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale nga transportuesit privatë.

“Për të tretin vit radhazi po bëhen përpjekje për të përafruar kompanitë private me standardet dhe para se të skadojë çdo kontratë, në përpjekje për të shmangur përmbushjen e standardeve ekologjike, lindin të njëjtat presione për të vazhduar operimin me autobusët e vjetër“, thuhet në njoftim.

Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin.

Kryetarja Danella Arsovska mohoi se qyteti ka borxh ndaj kompanive private, ndërsa vitin e kaluar tha se është e sigurt se Qyteti i Shkupit mund të funksionojë pa autobusë privatë.

Pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me dy shoqatat “Sloboda vravoz” dhe “Makekspres” nën ombrellën e së cilës lëviznin transportuesit privatë, u shpallën njoftime të reja për transport publik me autobus në të cilin mund të aplikojnë transportuesit privatë.

Në fund të majit të vitit të kaluar, NTP “Shkup” njoftoi se transportuesit privatë po kthehen në rrugë.