Banorët e Çairit në hall me parkingjet ilegale dhe mungesën e vendeve të parkimit, institucionet të “pafuqishme” për të zgjidhur problemin

Banorët e Çairit nuk kanë vende të mjaftueshme parkingu për veturat e tyre, ndërsa ankohen edhe nga parkingjet ilegale, për të cilat fajësojnë institucionet se nuk ndërmarrin masa. Komuna e Çairit edhe pse premtoi parkingje, të njëjtat nuk janë realizuar, ndërsa ndaj parkingjeve ilegale arsyetohen se nuk mund të marrin masa. Arsyetohen edhe nga Prokuroria dhe Drejtoria për të Ardhura Publike, ndërsa Ministria Punëve të Brendshme dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut heshtin, shkruan Portalb.mk.

Çairasit në hall me parkingjet

Një banor i lagjes së Çairit, tregoi se mungojnë parkingjet, nuk kanë vend për tu parkuar, dhe nëse e parkon veturën diku vjen e merr merimanga dhe duhet të paguajnë dënim, rreth 9 mijë denarë.

“Ne popullata nuk kemi faj, komuna ka premtuar garazhe me dy kate për parkim të veturave, premtime ka pasur por realizime ende jo. Nuk kemi shpresa prej asnjërit, as nga ato që ishin në qeveri, as nga këto që janë tani, ata i kanë rregulluar xhepat e tyre dhe nuk e kanë hallin e qytetarëve”, tha një banor.

Ai theksoi, se te xhamia “Isa Beu”, ka parkingje ilegale, ku qytetarët paguajnë 50-100 denarë dhe nuk japin kupon fiskal, edhe nëse ua kërkon.

“Mund të them se rreth tre parkingje ilegale janë në Çair, një e kemi aty te xhamia, dy parkingje tjera te ambulanca, ka mundësi për më shumë parkingje por unë nuk e di, mund të them vetëm tek këto parkingje, në të cilët jam parkuar dhe kam paguar”, tha qytetari

Një banor tjetër i revoltuar u shpreh se një ndër problemet më të mëdha në Çair është mungesa e parkingjeve.

“Siç po shihet veturat janë të parkuara vend e pa vend. Nuk kemi ku t’i parkojmë automjetet, ka raste e parkon veturën për 5 minuta, për ta kryer ndonjë punë të shpejtë, vjen ta merr merimanga. Më duhet, ta lë veturën në shtëpi, për të shkuar në punë, të eci në këmbë, ose të udhëtoj me autobusë. Mendoj se fajin për këto probleme e ka komuna që ende nuk ka zgjidhje për këto probleme primare”, tha banori i Çairit.

Ai nënvizoi gjithashtu se nuk kanë parkingje brenda lagjeve, ndërsa pohoi se është në dijeni për parkingje ilegale.

Një banor, tjetër tregoi se problemi me parkingjet është dashur të zgjidhet para 10 viteve, ai tha se brenda Çairit kanë nevojë për se paku për tre parkingje.

“Parkingjet që është dashur të bëhen, i kanë bërë ndërtesa. Udhëheqësit nuk e kanë hallin e qytetarëve, por e kanë hallin tenderëve, këtu është problemi vijnë me opanga dalin me kaobojka”, tha qytetari.

Ai mes tjerash foli edhe për parkingjet ilegale në Çair.

“Dy parkingje ilegale janë te xhamia “Isa Beu”, një pas xhamisë, dy parkingje përball poliklinikës “Bit Pazar” dhe një pas, dhe te “Hotel Arka” janë tre parkingje, dhe një parking përball policisë. Te këto parkingje paguan prej 50-100 denarë ora, por kupon fiskal nuk të japin. Policia, nuk ndërmerr masa për largimin e parkingjeve ilegale, të cilët ndodhen në Çair”, tha banori.

Një banor tjetër i ka humbur shpresat, për rregullimin e këtyre problemeve, ai tregoi se Çairi është një katastrofë e madhe urbanistike.

“Nuk besoj se ndonjëherë do të ketë zgjidhje për Çairin, kisha pasur dëshirë që gjeneratat e reja të kenë shanse dhe të kyçen në politikë që të bëjnë diçka, se më jemi lodhur nga këto autoritete, si ato që ishin, dhe si këto që janë tani, mendoj janë njësoj dhe nuk pres ndonjë zgjidhje, për këto problematika. Unë këtu jetoj gati 36 vite dhe nuk besoj se do të bëhet mirë”, tha një banor tjetër.

Komuna e Çairit shfajësohet

Portalb.mk për këtë problem kontaktoi Komunën e Çairit se pse nuk kanë marrë masa ndaj parkingjeve ilegale, por nga atje arsyetohen, thanë se ka toka që janë në pronësi të shtetit, ka toka që janë në pronësi private, dhe ka toka që janë në pronësi të Komunës së Çairit.

“Për të gjitha këto pronësi ka përgjigje në vete, qytetarët që paguajnë, dhe nuk marrin kupon fiskal
mund të drejtohen deri te “Drejtoria e të Ardhurave Publike”, dhe ata persona që kanë parkingje ilegale, do ua japin dënimin. Në këtë rast komuna nuk ka kompetenca dhe nuk kemi të drejtë marrim masa”, thanë nga Komuna e Çairit.

Prokuroria topin e hedh te institucionet tjera

Në lidhje me parkingjet ilegale të lartpërmendura nga qytetarët kërkuam llogari nga Prokuroria Publike. Nga atje theksuan se veprojnë për të gjithë kallëzimet e paraqitura penale.

“Pyetjet që bëni janë në kompetencë të institucioneve të tjera, në radhë të parë të shërbimeve inspektuese komunale, Drejtorisë për të Hyra Publike, Inspektoratit të Tregut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thanë nga Prokuroria.

Drejtoria për të Ardhura Publike thekson se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kanë kryer kontrolle të koordinuara në territorin e qytetit të Shkupit, në 6 objekte që kryejnë veprimtarinë e organizimit dhe mirëmbajtjes së parkingjeve.

“Në aksion, Drejtoria e të Ardhurave Publike ka kryer kontrolle në bazë të Ligjit për regjistrimin e pagesave me para të gatshme në gjithsej 3 objekte, ku janë konstatuar parregullsi te dy tatimpagues sipas Ligjit për regjistrimin e pagesave me para të gatshme…Për shkeljet e konstatuara sipas Ligjit për regjistrimin e pagesave me para të gatshme, Drejtoria e të Ardhurave Publike ka shqiptuar gjoba ndaj tatimpaguesve dhe personave përgjegjës për to”, thanë nda DAP.

Nga atje shtuan se në lidhje me tre objektet e tjera ku janë konstatuar aktivitete të paregjistruara, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kompetencë të veprojë në përputhje me Ligjin për Ndalimin e Veprimtarive të Pa regjistruara.

Por, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë problem.

Kujtojmë që me një sërë shkrimesh, Portalb.mk ka dëshmuar se toka mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.

Në lidhje me këtë rast, Policia në tetor të vitit 2023 dorëzoi padi penale për uzurpatorët e parkingut mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”.

Ndërkaq në mars të vitit 2023 Policia e Maqedonisë së Veriut ngriti kallëzim penal ndaj një 62 vjeçari nga Shkupi nën dyshimin për uzurpim të pronës shtetërore, hapësirë që e ka shfrytëzuar për parking afër tregut për lule në Bit Pazar.

Ndryshe, për Çairin janë bërë shumë premtime për parkingje edhe që nga viti 2013, nga kryetari i atëhershëm i komunës Izet Mexhiti, më pas edhe nga kryetari aktual Visar Ganiu, por këto mbetën vetëm fjalë pa realizim në terren.