Bankat në rajon raportojnë forcimin e kërkesës për kredi dhe përmirësimin e rentabilitetit

Banka Evropiane e Investimeve publikoi rezultatet më të fundit të Anketës së huadhënies bankare në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), gjë që tregon bankat presin të shohin rritje të kërkesës nga klientët për kredi në të gjitha kategoritë, ku kërkesa për kredi hipotekare pritet të ketë rritjen më të fortë dhe investimet e korporatave pritet të rimëkëmben pas një periudhe rritjeje të ngadaltë, transmeton Portalb.mk.

Shtrëngimi i ofertës së kredisë në fillim të vitit 2022, i shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, inflacioni dhe normat më të larta të interesit pritet të përfundojnë së shpejti me përmirësime të forta në të gjitha segmentet, veçanërisht për kreditë hipotekare dhe konsumatore. Bankat në rajon cituan një përmirësim të perspektivës së tregut dhe kushte më të mira financimi, si faktorë që kontribuojnë në lehtësimin e standardeve të kredisë, duke sinjalizuar gatishmërinë e shtuar të bankave për të dhënë kredi për klientët e tyre. Cilësia e kredisë në rajon po përmirësohet gjithashtu. Pas rënies në vitin 2023, shkalla e kredive me probleme parashikohet të vijojë të ulet në vende të ndryshme të EQLJ-së në vitin 2024.

“Perspektiva pozitive e reflektuar në Anketën e huadhënies bankare në EQLJ-së është një shenjë inkurajuese për zhvillimin ekonomik të rajonit,” tha zëvendëspresidenti i BEI-t, Kyriacos Kakouris. “Me forcimin e sektorit bankar, ne presim të shohim progres të vazhdueshëm në konvergjencën ekonomike të rajonit dhe rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimi e standardeve të jetesës në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.”

“Normat më të forta të kapitalit do t’u ofrojnë bankave fleksibilitet më të madh për të mbështetur rritjen e kreditimit. Për më tepër, bankat thonë se rentabiliteti i tyre në rajonin e EQLJ-së në krahasim me operacionet e përgjithshme të grupit është përmirësuar, ku filialet kanë rezultuar mesatarisht më fitimprurëse se bankat e tyre mëmë. Kur u pyetën për strategjitë e tyre afatgjata, 58% e grupeve bankare ndërkufitare shprehën gatishmërinë e tyre për të zgjeruar në mënyrë selektive ose për të ruajtur të njëjtin nivel operacionesh në rajon. Ky është një përmirësim i dukshëm në krahasim me tri raundet e mëparshme të anketimit, ku kjo shifër ishte përkatësisht 50%, 45% dhe 30%”, njofton Banka Evropiane për Investime.

“Anketa e huadhënies bankare në EQLJ nxjerr në pah një sektor bankar në rritje dhe me pritshmëri të shëndetshme të rritjes së kreditimit në të gjithë rajonin”, tha drejtoresha ekonomike e BEI-t, Debora Revoltella. “Pas një periudhe sfiduese, bankat po bëhen gjithnjë e më optimiste për perspektivën ekonomike dhe perspektivat e tyre të biznesit. Megjithatë, financat në rajon janë pothuajse ekskluzivisht të bazuara në banka, ndërsa transformimet strukturore dhe inovacioni kërkojnë burime më të larmishme financimi, si dhe tregje kapitale më të zhvilluara dhe më të integruara në BE.

Anketa tregon për një perspektivë pozitive për kreditimin në muajt në vijim, duke mbuluar 70 filiale vendase dhe banka vendase si dhe 12 grupe bankare ndërkombëtare.

Raporti është i disponueshëm këtu.

Kujtojmë se analiza ekonomike javore e Portalb.mk në maj tregoi se kamatat për kreditë e reja në Maqedoninë e Veriut “kanë rënë” në 5%. Kreditë totale në baza mujore bëhen më të lira, por në bazë vjetore kamatat rriten. Edhe pse bankierët paralajmëruan lehtësimin e kushteve të kreditimit, ky vit bankar 2024 filloi me shtrëngimin e disa prej kushteve të kreditimit. Kamatat e kursimeve janë në rritje, por ka ende një “hendek” të madh në raport me kamatat e kredive.