Ballkani përballë frontit (pro)rus

Pas agresionit rus në Ukrainë, në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut janë identifikuar mijëra postime individësh të vënë në shërbim të propagandave, manipulimeve dhe dezinformatave të Kremlinit. Ata përhapin ideologjinë e ekstremit të djathtë nacionalist, promovojnë urrejtjen ndëretnike dhe ksenofobinë, pohon redaktorja e studimit të shoqatës qytetare MOST, Rosana Aleksoska. Sipas shoqatës në fjalë, postimet janë kryesisht shpërndarje pikëpamjesh të hegjemonizmit rus nga përkrahës të verbër, të gatshëm për nxitjen e konflikteve të ngjashme me ato të viteve të nëntëdhjeta.

Pjesë e llavës së propagandave janë dhe deklaratat e renegatit çeçen Ramzan Kadirov dhe të ministrtit luftënxitës rus Sergei Lavrov, që trumbetojnë pasojat e frikshme me të cilat do të përballen ata që ndihmojnë luftën mbrojtëse të ukrainasve. Në këtë vijë janë dhe sejmenët e tyre të devotshëm, presidentët e Serbisë dhe Hungarisë, që duan ta bëjnë Evropën Azi.

Për MOST-in, kjo dëshmon pamëdyshje se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë në krye të agjendës së Putinit, që synon forcimin e ndikimit rus në rajon, përçarjet ndëretnike dhe rritjen e pasigurisë dhe ankthit te qytetarët që nuk arrijnë ta kuptojnë mirëfilli çfarë është duke ndodhur në të vërtetë?

Ndikimi i politikave destabilizuese të shtetit dhe kishës ruse në Maqedoninë e Veriut u pa ashiqare në protestën e organizuar pas dëbimit të disa diplomatëve nga ambasada ruse në Shkup, në të cilën defiluan individë me flamuj Rusie dhe portrete të presisdentit të saj konfliktnxitës.

Këto lëvizje joshin popullin me konceptin e vlerave të përbashkëta të “vëllazërisë ortodokse sllave”, që shtrohen paralelisht me nxitjen e urrejtjes ndaj shteteve perëndimore, BE-së dhe SHBA-së, duke i bindur njerëzit se nuk kanë asgjë të përbashkët me ta. Për arritjen e këtij qëllimi mashat ruse: justifikojnë krimet barbare ndaj Ukrainës; akuzojnë ukrainasit si nazistë; manipulojnë të vërtetën e krimeve serbe në Kosovë dhe përdorin narrativën “Kosova është Serbi, Donbasi është Rusi”; mashtrojnë njerëzit se gjoja sanksionet ndaj Rusisë më shumë dëmtojnë Perëndimin dhe ekonominë e saj; mbjellin bindjen se Perëndimi, luftuaka ortodoksinë ruse dhe gjithë sllavët nëpërmjet betejës apokaliptike Lindje – Perëndim…

Kjo lojë narrativash që ngatërron viktimën me xhelatin, agresionin rus ndaj vendeve fqinje me luftërat fetare që bëka Perëndimi me botën sllave, rrezikon seriozisht paqen edhe në Ballkanin e manipilueshëm nga ndikimi i fortë dhe i përhershëm ruso-serb.

Skenarin e mundshëm për destabilizimin e Ballkanit e paralajmëron prej vitesh analisti i njohur amerikan, Janush Bugajski. Ai e sqaron me detaje tendencën ruse për të shfrytëzuar Serbinë si shkrepëse për rindezjen e luftërave të reja, sipas skenarit millosheviqian. Sipas tij, nëse do të bllokohet rruga e Maqedonisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, do të rriten tensionet në gjithë rajonin, me ç’rast Rusia do të bëjë ç’mos që të rrënojë arritjet modeste të demokracisë. Analisti i njohur shpreh frikën se Rusia mund ta shndërrojë edhe Maqedoninë në një republikë serbe, si ajo e Bosnjës. Kjo sepse presidenti serb, duke shfrytëzuar BE-në e fjetur dhe SHBA-në e përqendruar në fronte shumë më të mëdha…, përpiqet me çdo kusht ta sendërtojë Serbinë e Madhe në kurriz të Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Kroacisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.