Babai i një djali me autizëm: 17 vjet priti bashkëshortja ime ta dëgjonte për herë të parë djalin ta thërriste nënë…

Në Tetovë qendra e autizmit “Fluturo për jetën” dhe shoqata “Purpura” kanë mbajtur një konferencë në të cilën morën pjesë personalitete të ndryshme dhe prindër të fëmijëve me nevoja ndryshe. Konferenca kishte në fokus baballarët, të cilët shpesh ikin nga përgjegjësia, disa se nuk dinë disa se nuk munden të japin më shumë. Por ka dhe prej tyre që japin maksimumin e tyre dhe kjo u duket e pamjaftueshme, njëri prej tyre është Gentijan Masha i cili ka një fëmijë me autizëm dhe me disa diagnoza shoqëruese. Ai ka vendosur që me lexuesit e Portalb.mk të ndajë dëgjesën e vet të kësaj konference në formën e një letre që të lexohet nga më shumë prindër që duhet të ecin bashkë në raste të rënda si këto të çiftit në fjalë.

Gentijan Masha në konferencën në Tetovë
Gentijan Masha në konferencën në Tetovë

Të dashur bashkudhëtarë,

Ne jetën tonë të përditshme ne të gjithë kemi sfidat e betejat tona që ndryshe quhen sfidat e përditshmërisë, e tillë është jeta.

Disa prej tyre i fitojmë e disa i humbim. Por ajo që unë kam frikë është sfida që pak nga pak e ditë pas ditë po e humbim sfidën e të qenit njeri në familje e në shoqëri.

Unë jam Gentjan Masha babai i një djali tashmë 20 vjeçar,  i cili është me aftësi ndryshe.

Kishin kaluar vetëm gjashtë orë nga lindja kur atij iu desh të luftonte për jetën për shkaqe që nuk e ditëm kurrë.

Së bashku ishim aty çdo ditë me bashkëshorten për t’i qëndruar pranë.

Se bashku evidentojmë në moshën gjashtë mujore që ka dëmtim të dëgjimit.

Së bashku në moshën 2 vjeçare kuptojmë se ka shenja të autizmit.

Së bashku mësojmë se në moshën 6 vjeç e gjysmë  diagnostikohet me tumor në kokë.

E potencova fjalën së bashku disa herë e me qëllimin e vetëm për t’ju treguar se sa e rëndësishme është të qenit bashkë e dorë për dore për të kaluar kalvarin e vuajtjeve, hidhërimeve, tronditjeve, gëzimeve tash e 20 vjet.

Kam qenë aty për të bërë rolin tim si prind e bashkëshort pa ju shmangur përgjegjësive dhe pse në luftë me veten.

O ju njerëz, vërtetë ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëme popuj e fise që të njiheni ndërmjet veti (Huxhurat). Kështu na thotë Zoti i Madhërishëm në librin e Tij fisnik.

Shpesh herë e ndryshmja na tremb, dhe si rrjedhojë e paragjykojmë atë. Në vend qe t’i afrohemi, ta njohim të shohim pikat e takimit, e përçmojmë e përjashtojmë ose me keq akoma përpiqemi te gjejmë fajtor. E si gjithmonë gishtin e drejtojmë te të tjerët, e në rastin konkret te bashkëshortja jonë. Ajo na e ka fajin pse kemi një fëmijë ndryshe. Ajo e ka fajin pse djali apo vajza nuk flet, nuk reagon apo nuk bën të njëjtat veprime si gjithë të tjerat. E gjitha kjo se në koshiencën tonë kemi vizatuar vetëm një lloj modeli se si duhet të jetë fëmija ynë duke harruar se përveç modelit tonë, ekzistojnë qindra e mijëra modele të ndryshme nga ai i joni. Po a ka prind në ketë univers qe nuk do të kishte fëmijët e vet me tiparet më të bukura e me virtytet më të larta? Kush është ai prind që nuk e do fëmijën e tij biond a brun, me flokë kaçurrela a të shtrira, me sy jeshil apo bojëqielli, 1.90 apo dy metra të gjatë? E pastaj shtoji kësaj që fëmija te ketë një mendësi Ajnshtajni, biznesi si Bill Gates apo pasuri si sheikët arabë. Po ja që realiteti është ndryshe e falë Zotit që është i tillë. Duke parë fëmijën tonë që nuk reagon, nuk flet apo nuk dëgjon, mësojmë të kuptojmë vlerën e atyre që posedojmë e për ketë duhet të falënderojmë fort, e të marrim forcë që t’i gjendemi pranë për t’i ndihmuar.

Zaten, për ketë jemi prindër e ky është misioni ynë. Dua të them se ndoshta ne kemi qenë pak ose aspak të përgatitur për një familje të mirëfilltë aq më pak për të pasur në mesin tonë fëmijë të tillë. Sepse kollaj të jesh baba, e vështirë të jesh prind. Një profesor i joni për të cilin kam shumë respekt thotë: ’e keqja është e lirë, e mira është e shtrenjtë. Në rastin tonë e lira është babai, e shtrenjta është prindi, e lira është të qenit mashkulli e shtrenjta është të qenit burrë e kjo kërkon sakrifica deri në vetëmohim.

Në të vërtete ne çfarë bëjmë? Gjejmë lloj-lloj justifikimesh për t’u arratisur nga halli që kemi e për pasojë kemi një mungesë pothuajse totale të baballarëve. Mungesë në terapi, mungesë në simpoziume, mungesë në TV e më e rëndësishmja mungesë në familje, në mos fizike, morale pa diskutim që po. Gabimisht përmenda termin hall, por në të vërtetë nuk është hall e nuk duhet trajtuar si i tillë.

Sprova që kemi e me të cilën përballemi çdo ditë, duhet të na bëjë të vetëdijshëm se një baba që të marrë përgjegjësitë e tij duhet të bëjë një gjë fare të thjeshtë e kjo është: të dojë e të respektojë nënën e fëmijëve të tij, e këtu po flas për familje normale, imagjinoni familjet tona ku dozat e dashurisë e respektit shumëfishohen.

Baballarë e bashkudhëtarë të mi: Shpeshherë jemi gjendur në udhëkryq, shpesh jemi mërzitur e ndoshta jemi lodhur. Kurrë nuk duhet të harrojmë një gjë: Ne marrim forcë edhe kur bëjmë hapa prapa, ashtu sikurse shigjeta kur do të dalë me forcë nga harku tërhiqet mbrapa.

Secili nga ne është anonim për botën atje jashtë, po për fëmijën tonë ne jemi e gjithë bota.

Fëmijët që kemi kanë nevoja e shpeshherë janë shpenzime të mëdha. Ndërkohë që ne vetëm ankohemi e ndoshta ndonjëherë duke mos pasur mundësi ekonomike i dorëzohemi veseve si alkooli, droga e bixhozi, e përfundimi – shkatërrimi i familjeve e fatkeqësisht numri i divorceve është rritur frikshëm. Ai që prodhoi çadrën nuk u ankua për shiun, por gjeti zgjidhje. Mos kini drojë të kërkoni për fëmijët tuaj kudo e kurdo. Nuk po bëni ndonjë gjë të turpshme, por absolutisht është në hakun tuaj.

Nuk ka gjë me të vyer e të shtrenjtë se familja të cilën duan të na e vjedhin. Si baballarë nuk duhet t’i shohim këta fëmijë si mallkim, por si një bekim e që bereqeti e risku janë veç prej tyre.

Djali im më ka mësuar shumë e një nga ato gjëra është ta shoh botën ndryshe. Të qaj për t’u forcuar, të qesh për t’u ri ngritur, të kem dhembshuri për të kuptuar, të jem i ndjeshëm deri sa të futem në lëkuren e tjetrit për të kuptuar gjendjen e tij.

Djali më ka mësuar durimin e nuk ka gjë më të mire që i është dhëne njeriut se sa durimi.

17 vjet priti bashkëshortja ime djalin ta dëgjonte për herë të parë t’i thërriste nënë. 17, 27, apo 37 vjet të tjera do të pres për të dëgjuar ndonjë fjali nga djali im qoftë edhe me dy-tre fjalë. Do të jem aty pa u mërzit e i pa dorëzuar.

Më ka mësuar ta prek vdekjen çdo ditë në dorë e kështu ta vlerësoj më shumë jetën. Më mëson çdo ditë si të jap dashuri pa kushte ashtu siç vetëm këta fëmijë dinë të japin. Më ka mësuar ta falënderoj Zotin që isha unë prindi që Zoti ma ka lënë amanet e unë duhet ta trajtoj ashtu siç trajtohet amaneti.

Sigurisht që unë nuk jam babai shembullor, por një gjë di ta them me siguri: ky fëmijë më ka bërë më të mirë nga dita e parë kur lindi.

Baballarët tanë të dashur që pa frikë e me shumë respekt do t’ju konsideroja heronjtë e mi. Ne duhet tu ngjajmë atyre rrapeve të mëdhenj që lëshojnë hije për të tjerët e vetë digjen nga rrezet e diellit.

Na ka mësuar profeti mësuesi i gjithë njerëzimit: Nëse është duke ardhur kiameti e ju keni në dorë një fidan për të mbjellur, mbilleni atë.

Kështu kam vendosur të bëj edhe unë si baba: të mbjell e të ujis fidanin e përveç tij edhe disa fidanë të tjerë të cilët tashmë janë bërë pemë: Me çfarë? Me dashuri e përkushtim deri sa të mbyll sytë fidani është djali im e pemët janë prindërit, bashkëshortja, vëllai motra e farefisi.

Bëni që të kujtoheni brez pas brezi si prindër e baballarë shembullorë të cilët sprovat e jetës i përballuan me dinjitet e që u bëtë shembull për shumë e shumë familje që morën forcë nga forca juaj e dashuri e përkushtim nga dashuria e përkushtimi juaj.

Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur i harrohet emri. Bëni që kurrë mos t’ju harrohet emri!