Avokati i Popullit dënoi deklaratën e Angellovit për zhvendosjen me forcë të romëve nga Vardarishtja

Avokati i Popullit dënon fuqimisht deklaratën e Drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në lidhje me “reagimin agresiv dhe zhvendosjen me procedurë të shkurtër të familjeve rome nga Vardarishte”, transmeton Portalb.mk.

“Deklarata të tilla nxisin diskriminimin dhe stigmatizimin ndaj komunitetit rom dhe janë në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit dhe barazisë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Strategjia për Përfshirjen e Romëve 2023–2030 dhe dokumentet ndërkombëtare që garantojnë të drejtën për banim të denjë dhe mosdiskriminim. Sipas Avokatit të Popullit, deklaratat në të cilat bëhet thirrje për zhvendosje me forcë të komuniteteve të tëra, veçanërisht në baza etnike, jo vetëm që janë të rrezikshme dhe diskriminuese, por edhe minojnë besimin në institucione. Në vend të kërcënimeve dhe masave detyruese, nevojitet dialog, qasje sistemike dhe bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë banorët për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që do të sigurojnë si mbrojtjen e mjedisit ashtu edhe banimin dinjitoz”, thonë nga Avokati i Popullit.

Ata rikujtojnë se Strategjia për Përfshirjen e Romëve 2022–2030 e përcakton qartë fushën e banimit si një nga fushat kryesore prioritare, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, legalizimin e banesave ekzistuese, planifikimin urban të integruar dhe sigurimin e qasjes në infrastrukturën bazë.

“Strategjia thekson qartë se zgjidhja e çështjes së banimit patjetër duhet të jetë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi, pa detyrim dhe pa zhvendosje “në procedurë të shkurtër”, thuhet në reagim.

Avokati i Popullit thekson se duhet të merret në konsideratë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila garanton të drejtën për respektimin e shtëpisë dhe jetës familjare; Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, i cili njeh të drejtën e të gjithëve për strehim të përshtatshëm dhe ndalon zhvendosjet arbitrare ose të detyruara, si dhe Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e cila kërkon që shtetet të sigurojnë trajtim të barabartë dhe të përmbahen nga masat që do të çonin në asimilim ose segregacion. Gjithashtu, Rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Integrimin e Romëve bëjnë thirrje për zgjidhje të qëndrueshme të banimit, në frymën e përfshirjes dhe barazisë.

“U bëjmë thirrje institucioneve dhe figurave publike të përmbahen nga deklaratat që nxisin diskriminimin dhe të punojnë në përputhje me strategjitë kombëtare, standardet ndërkombëtare dhe parimet e të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov, në podkastin “Na kavga so Ivan” në Kanalin 5, deklaroi se zgjidhja për deponinë Vardarishte është “zgjidhja e problemit me një grup romësh me forcë”, i cili, sipas tij, është përgjegjës për djegien e mbeturinave.

“Nuk po i referohem të gjithë romëve, që të mos akuzohem për shovinizëm, racizëm e kështu me radhë. Por ata romë që jetojnë në deponi janë ata që djegin kabllo për të nxjerrë bakrin…”, deklaroi Angelov.

Edhe pse prezantuesi Ivan Mirçevski dhe Sotir Kostov u përpoqën ta korrigjonin, duke theksuar se çdo zhvendosje duhet të jetë në mënyrë humane dhe dinjitoze, jo me forcë, Angelov u përgjigj kategorikisht:

“Unë jam për një reagim agresiv. Nëse më pyet mua, do ta zgjidhja me procedurë të shkurtër, do t’i zhvendosja nga aty… Nëse është e nevojshme, me forcë”.