“Asnjë më shumë, sonte në Shkup u protestua kundër dhunës në familje dhe neglizhencës së institucioneve
Pas protestës së mbajtur javën e kaluar, lëvizja “Asnjë më shumë” sot ka protestuar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Protesta u zhvillua në orët e mbrëmjes, duke u bllokuar kryqëzimi te parku “Gruaja luftëtare”.
“Përmes një shkëmbimi në një hapësirë publike, le të kanalizojmë zemërimin tonë kolektiv dhe së bashku të diskutojmë zgjidhje kundër institucioneve që kërcënojnë rrugët tona”, thanë organizatorët në mediat sociale.
Lëvizja deklaroi më parë se iniciativa e tyre rrjedh nga pikëpamja se dhuna ndaj grave dhe femicidet nuk janë “incidente” të izoluara, por më tepër pasoja të pandëshkueshmërisë dhe një kulture që toleron dhe justifikon dhunën.
“Ne veprojmë në solidaritetin e grave për të bërë thirrje për përgjegjësi dhe ndryshim – ligjor, institucional dhe social, në mënyrë që askush tjetër të mos jetë viktimë”, thonë nga “Asnjë më shumë”.
Lëvizja paraqitet si një iniciativë feministe që angazhohet për barazi dhe një jetë pa dhunë.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 512 vepra penale në lidhje me dhunën në familje, shumica e të cilave janë kryer nga burrat – gjithsej 474 dhe shumica e të cilave kanë përfunduar me lëndime trupore.
Ndryshe, vetëm pesë ditë para se ta kryente vrasjen e Rosicës dhe babait të saj në Veles, 39-vjeçarit nga Shkupi, Ilija Stefanovski, gjykata ja ka shfuqizuar masën e ndalesës për tu larguar nga shtëpia dhe të paraqitet në polici me kërkesë të prokurorisë.