ASH e Taravarit i reagon Bekim Salit: Dekor apo pushtet real? VLEN pranon dështimin

Nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit sot kanë reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali se “kultura shqiptare për momentin është e cunguar pjesërisht”. Thonë se deklarata e tij është skandaloze dhe një pranim publik i dështimit të Qeverisë ku ai vetë është pjesë, njofton Portalb.mk.

“Gjendjen e mjerueshme të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë artikuluar prej kohësh artistët, krijuesit dhe opozita shqiptare. Tani kjo gjendje konfirmohet edhe nga vetë zyrtarët shqiptarë në Qeveri. Ky nuk është më opinion politik, por fakt i pranuar nga brenda pushtetit. Aleanca për Shqiptarët pyet hapur: cili është realisht roli i VLEN-it në Qeveri? A janë dekor politik? Të shantazhuar? Të pafuqishëm për të ndikuar në politikat shtetërore?, pyesin nga ASH-ja.

Potencojnë se është e papranueshme që zyrtarë shqiptarë në Qeveri të sillen si opozitë verbale, duke konstatuar probleme, por pa marrë asnjë përgjegjësi për zgjidhjen e tyre. Deklaratat kritike, siç thonë, nuk e zëvendësojnë veprimin politik dhe institucional.

“Edhe pas dy vitesh në pushtet, shqiptarët nuk kanë parë as strategji serioze për kulturën, as investime dinjitoze, as mbrojtje të identitetit kulturor. Në vend të rezultateve, kemi justifikime dhe deklarata vetëakuzuese. Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi politike. Qeveria nuk është vend për ankesa, por për vendimmarrje. Kush nuk është i aftë të ndryshojë gjendjen, duhet të mbajë përgjegjësi ose të largohet”, thuhet në reagimin e ASH-së së Taravarit.

“Për fat të keq jemi të vetëdijshëm se kulturën shqiptare për momentin e kemi të cunguar pjesërisht”, tha Bekim Sali.

Këtë koment Sali e bëri duke folur për projektin e Pallatit të Kulturës në fshatin Kamjan të Bogovinës i cili filloi të ndërtohet në 2017 dhe që ka mbetur vetëm konstruksioni i objektit. Ndërsa Sali muaj më parë premtoi vazhdimin e këtij projekti.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit së fundmi i ka publikuar rezultatet e Konkursit Vjetor për projektet që do të përkrahen në vitin 2026, ku në konkurs pati 2,618 aplikime.

Ministri Zoran Ljutkov njoftoi se buxheti i përgjithshëm për vitin 2026 është 5,194,975,000 denarë, ndërsa për projekte me interes kombëtar në kulturë janë paraparë 1,070,417,000 denarë.

Pas publikimit të rezultateve ka pasur reagime të shumta ta artistët dhe shoqatat kulturore shqiptare, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së fondeve nga Ministria e Kulturës dhe veçanërisht për mbështetjen e pamjaftueshme të projekteve që përfaqësojnë kulturën shqiptare.

Organizatorë e aktiviteteve artistike dhe festivaleve kanë vlerësuar se kriteret e vlerësimit nuk janë të qarta dhe se procesi i përzgjedhjes është jo mjaftueshëm transparent.

Në këtë kontekst, një numër i madh i artistëve kanë kërkuar rishqyrtim të rezultateve, publikim të plotë të raporteve të komisioneve vlerësuese, si dhe hapjen e një debati të gjerë institucional për riformatimin e politikave kulturore dhe për vendosjen e mekanizmave që sigurojnë ndarje më të drejtë, më meritore dhe më të balancuar të fondeve publike.

Për këtë ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas të cilëve mjetet financiare janë të shpërndara 86.2% te popullsia maqedonase ndërsa 13.8% te ajo shqiptare.

“Të dhënat zyrtare për ndarjen e mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional ndaj kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në total, nga 220,988,534 denarë të ndarë për kulturë, 30,436,000 denarë u janë ndarë projekteve shqiptare (13.8%), ndërsa 190,552,534 denarë projekteve maqedone (86.2%)”, thanë nga BDI.

Në listën e projekteve të miratuara nga Ministria e Kulturës figuron edhe emri i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, me projektin për botimin e librit me titull “Hulumtime në Kineziologji”, me autorësi të tij. Sipas të dhënave, botimi i këtij libri është mbështetur me 81.000 denarë, ndërsa aplikues i projektit është Shoqëria për prodhim, tregti dhe shërbime “SEMI GENIMEPS” SHPK import-eksport nga Kumanova.

Pavarësisht reagimeve të shumta në opinion pas shpalljes së rezultateve të Programit Vjetor, deri më tani Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për arsyet e ndarjes së fondeve, kriteret e vlerësimit dhe pikëzimet.

Portalb.mk kontaktoi edhe zëvendësministrin e Kulturës, Sedat Sulejmanin, por ai nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.