ASh: Dogana në RMV fshinë shqipen, heshtja e VLEN-it është tradhti
Aleanca për Shqiptarët akuzoi për vendim skandaloz të Drejtorisë së Doganave që vulat të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, duke eliminuar shqipen nga përdorimi zyrtar. “Ky është një akt flagrant antikushtetues, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe një regres i rrezikshëm në respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e kësaj partie, transmeton Portalb.mk.
“Nuk është rastësi që ky degradim ndodh nën sytë e zëvendësdrejtorit shqiptar nga radhët e VLEN-it, Mustafa Dauti, i cili, në vend se të mbrojë gjuhën dhe dinjitetin e doganierëve shqiptarë, ka zgjedhur të shërbejë si vegël e padronit politik dhe interesave personale. Ky servilizëm i turpshëm kulmoi edhe në manifestimin për 33-vjetorin e Doganave, ku i gjithë programi u zhvillua vetëm në maqedonisht, ndërsa punonjësit shqiptarë u detyruan të flasin maqedonisht në video-mesazh, përpara syve të zëvendësdrejtorit-kukull të VLEN-it”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Aleanca për Shqiptarët thotë se se çdo tentim për të fshirë gjuhën shqipe nga institucionet shtetërore do të hasë në kundërshtim të ashpër politik dhe qytetar.
“Shqipja nuk është dekor për ceremoni, por gjuhë zyrtare e barabartë, e garantuar me ligj dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Askush, qoftë edhe me vulë, nuk ka të drejtë të shkelë mbi gjuhën e një populli. U bëjmë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit, dhe sidomos krerëve të VLEN-it, që menjëherë të kërkojnë llogari nga drejtuesit e këtij institucioni. Heshtja është bashkëpjesëmarrje në këtë linçim që po i bëhet gjuhës shqipe”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se, Portalb.mk. në vazhdimësi ka denoncuar mungesën e zbatimit të gjuhës shqipe edhe nga ana e Qeverisë së RMV-së.
Së fundmi, deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, ngriti alarmin për moszbatimin e gjuhës shqipe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai, nga foltorja e Kuvendit, duke cituar rregulloren e parlamentit, se “deputeti, i cili flet një gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, materialet i pranon në kohë, përkatësisht i dorëzon edhe në gjuhën dhe alfabetin e tij që të shërbejë në seancë të Kuvendit ose në mbledhje të trupave punues”, është ankuar se deputetët shqiptarë i pranojnë dokumentet vetëm në gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, kryeparlamentari Afrim Gashi, zotohet se materialet që dorëzohen deri tek deputetët përkthehen edhe në gjuhën shqipe.