Armenia po shqyrton aplikimin për anëtarësim në BE

Armenia po shqyrton aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë të premten ministri i Jashtëm, Ararat Mirzoyan, teksa kërkon të krijojë lidhje më të ngushta me Perëndimin përballë tensioneve me aleaten tradicionale Rusinë, transmeton Koha.net.

“Shumë mundësi të reja po diskutohen kryesisht në Armeni sot dhe kjo nuk do të jetë sekret nëse them se kjo përfshin anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë Mirzoyan në një intervistë për stacionin televiziv turk, TRT World.

Ai po fliste në margjinat e një forumi diplomatik në qytetin turk të Antalias në bregdetin e Mesdheut.

Që nga ardhja në pushtet në një revolucion të vitit 2018, kryeministri armen Nikol Pashinyan ka thelluar lidhjet e Armenisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, duke tërhequr vazhdimisht zemërimin e Rusisë.

Jerevani ka thënë vazhdimisht se aleanca e tij me Moskën nuk shtrihet në luftën në Ukrainë, ndërsa Pashinyan ka akuzuar Rusinë se kërkon të minojë qeverinë e tij.