Arbër Isaku dhe Sejfulla Osmani, kandidatë për anëtar të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti
Arbër Isaku dhe Sejfulla Osmani janë kandidatët që Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërimet propozoi në procedurën për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti, transameton Portalb.mk.
Përpara seancës, zëvendëskryetarja e Komisionit dhe deputetja Dafina Stojanoska kujtoi se më 26 janar u mbajt debat publik për të prezantuar kandidatët që plotësojnë kushtet për anëtar të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti.
“Përveç kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, në debatin publik morën pjesë dhe iu drejtuan pyetje kandidatëve dhe përfaqësuesve nga Shoqata e gjyqtarëve, Oda e Avokatëve, organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e mediave dhe komunitetit akademik. U zhvillua debat i strukturuar me secilin prej kandidatëve dhe u kushtua kujdes për të siguruar trajtim të barabartë dhe të drejtë të të gjithë kandidatëve”, tha Stojanoska.
Përndryshe, Arber Isaku është i diplomuar në drejtësi me provim të dhënë të jurisprudencës nga Tetova. Gjatë karrierës së tij, ai punoi në sektorin privat, por edhe në institucione shtetërore, përkatësisht në Qeveri, Parlament dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku shërbeu si shef kabineti.
Sejfulla Osmani është doktor shkencash me provim të dhënë të jurisprudencës nga Gradeci, Komuna e Vrapçishtit. Gjatë karrierës së tij, ai punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar, si avokat dhe profesor universitar.
Kujtojmë se në janar, me propozim të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, për anëtare të Këshillit Gjyqësor u zgjodhën avokatja Suzana Joshevska-Anastasovska dhe profesoresha universitare Arlinda Kadri-Shahinoviq.
Këshilli Gjyqësor numëron 15 anëtarë, prej të cilëve tetë zgjidhen nga gjyqtarët aktivë, dy janë anëtarë sipas funksionit (kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë – pa të drejtë vote), tre zgjidhen nga Kuvendi, ndërsa dy zgjidhen nga Kuvendi me propozim të presidentit të shtetit.