Arben Taravari: Ndryshimet Kushtetuese do të bëhen

I ftuar në emisionin Klan Debat në televizionin Klan Macedonia, Arben Taravari nga VLEN tha se ndryshimet kushtetuese do të bëhen mirëpo është procedurë që kërkon kohë. Ai gjithashtu tha se ata e kanë legjitimitetin dhe se BDI e ka vendin në opozitë sepse do t’i bëjë mirë.

“Unë kam bërë negociata me Ali Ahmetin në nëntor që nuk do të ishte mirë të hyjmë në qeveri e cila nuk është pro-evropiane. Nuk ka rëndësi nëse e kemi nënshkruar ose jo, lëre çka thotë Arsim Zekolli që qenka e deponume në Ambasadën e SHBA-vë, ai është rast për në psikiatri. Ne jemi garanci në këtë qeveri që Maqedonia e Veriut do të mbaj kursin pro-evropian, ndaj edhe me VMRO-në e kemi biseduar. Në qershor kemi zgjedhje, kemi zgjedhje në BE e në SHBA, edhe në shtator mund të bëhen, me rëndësi është që vendi t’i bën ndryshimet kushtetuese”, tha Taravari.

Ai tha se nuk duan kufizime kohore por punët e nisura do të kryhen.

“Do të mundohemi të bëhen ndryshimet kushtetuese sa më herët, mos na kufizoni neve me gjashtë muaj, kur e keni prit Ali Ahmetin 20 vite për NATO apo për rrugën Shkup-Bllacë”, deklaroi Taravari.

Taravari tha se ata e kanë legjitimitetin dhe se BDI e ka vendin në opozitë sepse do t’i bëjë mirë.

“Dukej si një teatër, njëjtë si ajo ngjarja kur zgjidheshin njëri kryetar kuvendi, tjetri deputet etj.. Këto deklarata do ti bëjnë për ti mbajtur votuesit mirëpo kështu e ka opozita sepse ju bën pak telashe. Z.Ahmeti është njeri i mençur, i urtë ndaj nuk e preferoj të përdor ai një fjalor të tillë të vrazhdë. Ali Ahmeti nuk e ka hallin të opozita mirëpo tek lufta që po vjen kundër krimit dhe korrupsionit, ndaj dhe do të kërkohet përgjegjësi prej tyre. Opozita do të ju bëjë mirë, dhe do të garojnë në zgjedhje lokale si opozitë”, deklaroi Taravari.

Taravari tha se VLEN ka 95 për qind të votave shqiptare, ndërsa vetëm 5 për qind nga komunitetet e vogla.

“Ne e kemi legjitimitetin e votave shqiptare. BDI legjitimitetin ne vitin 2016 e ka marrë me 80 miië vota. Vetëm Partia Demokratike Turke ka 17-18 mijë vota, boshnjakët dhe romët nuk kanë shumë, pra TDP e ka bërë diferencën. Edhe në VLEN nuk janë votat e pastra krejt shqip, ndoshta 5 përqind ishin të pakicave, mirëpo 95 përdind janë vota shqiptare”, tha Taravari.

Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e ndryshuara, sipas të cilave koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.