Anthony Joshua nokautoi Jake Paulin në raundin e gjashtë

Dueli i shumëpërfolur në Miami ka përfunduar me fitore bindëse të ish-kampionit të botës. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, e ka mposhtur me nokaut YouTuberin e kthyer në boksier, Jake Paul, në raundin e gjashtë të përballjes së tyre kontroverse, e zhvilluar në Kaseya Center në Miami, transmeton RTK.

Joshua, dy herë kampion bote, pati më shumë vështirësi sesa pritej përballë kundërshtarit me përvojë dukshëm më të vogël, por në raundet e fundit të ndeshjes prej tetë raundesh arriti ta shfrytëzojë superioritetin fizik dhe fuqinë e goditjeve.

Përballja, e cila sipas raportimeve u shoqërua me një shpërblim gjigant prej 184 milionë dollarësh të ndarë mes dy boksierëve, shpeshherë u shndërrua në një spektakël të diskutueshëm. Jake Paul rrëshqiste vazhdimisht në tapet dhe në disa raste tentoi të kapte këmbët e Joshuas, duke shkaktuar reagime negative nga publiku.

Në raundin e katërt, edhe gjyqtari Christopher Young shfaqi pakënaqësinë e tij, duke paralajmëruar boksierët me fjalët.

“Tifozët nuk kanë paguar për ta parë këtë.”

Me kalimin e minutave, lodhja e Paulit u bë e dukshme. Joshua rriti presionin dhe e rrëzoi amerikanin dy herë në raundin e pestë. Fundi erdhi shpejt në raundin e gjashtë, kur britaniku e shtyu Paulin në qoshe dhe, pasi e përgatiti me një të majtë të fortë, e goditi fuqishëm me të djathtën në mjekër, duke e dërguar në tapet për nokautin përfundimtar.

Pas ndeshjes, Joshua pranoi se nuk ishte paraqitja e tij më e mirë.

“Nuk ishte performanca ime më e mirë, por plani ishte ta kapja Jake Paulin, ta mbaja nën presion dhe ta dëmtoja. Kjo ishte kërkesa para ndeshjes. Mori pak më shumë kohë sesa pritej, por goditja e djathtë më në fund gjeti destinacionin e saj,” deklaroi 36-vjeçari.

Joshua gjithashtu e lavdëroi Paulin për rezistencën e treguar, duke theksuar se 28-vjeçari arriti të qëndrojë në këmbë deri në raundet e vona përkundër diferencës së madhe në përvojë.