Anna Di Lellio: Publiku të interesohet më shumë për historinë e vendit të tij, jo për historinë si dogmë nacionaliste

Për gjithë lexuesit e Portalb.mk sot sjellim intervistën me albanologia Anna Di Lellio me origjinë nga Italia. Di Lellio e cila vepron nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njihet për hulumtimet e saj mbi shoqërinë e pasluftës në Kosovë, njëherësh bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë. Di Lellio foli për ndihmën që ua ka dhënë refugjatëve ku tha se e ka prekur shumë ndjenja e shpërnguljes, humbjes së refugjatëve dhe shumë të tjera.

Portalb.mk: Anna ju me origjinë jeni nga Italia, cila ishte arsyeja që ju ju qasët studimit të historisë së Kosovës, çfarë ju lidhi me Kosovën?

Anna Di Lellio: Për Kosovën u interesova gjatë luftës së vitit 1999, nuk e njihja më parë Kosovën. Isha në Nju Jork duke mbuluar ndërhyrjen e NATO-s. Mora një punë si zëdhënëse e WFP dhe në maj 1999 shkova të punoja në kampin e refugjatëve të Kukësit.

Portalb.mk: Çfarë studime keni realizuar në Kosovë dhe sa ishte e vështirë për ti sjellë në dritë këto histori të pa treguara më parë sidomos nga puntëorët e Minierës së Trepçës?

Anna Di Lellio: Kam studiuar para së gjithash historinë e masakrës së Prekazit dhe ndërtimin e legjendës së Adem Jasharit si themelues i Kosovës së lirë. Më pas kam studiuar aspekte të tjera të çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë dhe mbi të gjitha traditën epike shqiptare në betejën e Kosovës në vitin 1389. Kohët e fundit kam punuar për historinë e Luftës së Dytë Botërore, konkretisht për masakrën e Tivarit dhe për dhunën seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99.

Interesimi im për grevën e Trepçës buron nga pasioni im për historinë gojore (unë jam një nga themeluesit e Iniciativës së Historisë Orale të Kosovës) dhe kurioziteti im për rënien e Jugosllavisë.

Mendoj se ajo grevë ishte një nga katalizatorët vendimtarë për fundin e Jugosllavisë. Por nuk është një histori që nuk është treguar më parë. Nuk u tregua si një histori gojore, duke i bërë protagonistët të flasin.

Portalb.mk: Ditë më parë keni mbajtur ligjëratë me temën “Tradita gojore në shekullin 21”, na trego më gjerësisht lidhur me këtë temë çfarë konkluzione paraqitët?

Anna Di Lellio: U përpoqa t’i inkurajoj studiuesit e Institutit që të hulumtojnë jo vetëm folklorin si mbetje të së kaluarës, por kulturën e shoqërisë bashkëkohore kosovare, të njerëzve të thjeshtë, folklorin bashkëkohor shkurt, gjë që na bën të kuptojmë ëndrrat, frikën dhe konceptimin e njerëzve për botën.

Portalb.mk: Ju keni ndihmuar refugjatët në periudhën e luftës në Kosovë, na trego ato çaste çka ju ka emocionuar më shumë dhe çfarë sfidash keni kaluar?

Anna Di Lellio: Më ka prekur shumë ndjenja e shpërnguljes dhe humbjes së refugjatëve, dashuria për shtëpinë e tyre, fakti që gratë ia dolën të mbanin gjithçka të pastër edhe në çadra dhe në baltën e fushave. Dhe pastaj u emocionova kur pashë mbërritjen në kalimin e Morinës nga burgu i Smrekovicës prej 3000 burrash në një javë, të gjithë shumë të lodhur, të uritur, me kocka të thyera në duar.

Portalb.mk: Cili është opinion yt sa i përket këndvështrimit rreth komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, për të cilin ju filluat të interesoheshit nga një fotografi e madhe e vendosur në Prishtinë, pas rënies së tij.

Anna Di Lellio: Adem Jashari dhe masakra e tij me gjithë familjen ishte një fakt shumë i rëndësishëm për luftën e Kosovës për pavarësi. Pa masakrën e Prekazit nuk do të ishte kryengritja e diasporës dhe rritja e UÇK-së, zgjerimi i juridiksionit të TPNJ-së në Kosovë, rritja e interesit ndërkombëtar për krizën e Kosovës.

Nuk e kam besuar kurrë se ai kishte për qëllim të sakrifikonte veten, por ai donte të rezistonte dhe rezistenca e familjes së tij dhe e disa luftëtarëve të parë të UÇK-së tregoi dy gjëra: se disa kishin guxim të jashtëzakonshëm për të luftuar të vetëm kundër një ushtrie të fortë dhe se serbët nuk ishin të interesuar vetëm për të mposhtur UÇK-në, por për të eliminuar të gjithë shqiptarët, burra, gra dhe fëmijë. Kjo është ajo që theu ekuilibrin e vendosur në vitet ’90 por edhe çliroi shqiptarët nga shtypja e Millosheviqit.

Portalb.mk: Cilat janë planet për të ardhmen, çka mund të presim në vazhdim?

Anna Di Lellio: Libri që kam shkruar me Garentina Krajën do të dalë në maj, quhet Hallka më e fortë, botuar nga Oxford University Press. Është historia gojore e njëzet grave që u përdhunuan nga forcat serbe të sigurimit gjatë luftës 98-99. Është një histori pasionante dhe prekëse që flet për dhunë, vuajtje, trauma, por edhe për forcë të jashtëzakonshme. Gratë janë, në fakt, hallka më e fortë e zinxhirit njerëzor.

Portalb.mk: Si një studiuese e histories së Kosovës, cili do ishte mesazhi i juaj deri tek publiku?

Anna Di Lellio: Unë nuk jam një historiane klasike dhe nuk më pëlqen t’i jap udhëzime askujt përveç studentëve të mi. Apo shpresa ime është që publiku të interesohet më shumë për historinë e shoqërisë dhe vendit të tij, por jo për historinë që tregohet si kredo (dogmë) nacionaliste. Ka shumë për të mësuar nga ajo që njerëzit thonë dhe kujtojnë, nga dokumentet dhe arkivat, dhe nga studimet e mëparshme, por historianët duhet të ndjekin standarde të larta profesionale, të braktisin një vështrim të fshehtë të historisë dhe ta lidhin historinë e Kosovës me historinë botërore.