Ankthet e lavdisë

Sa e sa njerëz e ëndërrojnë ngjitjen në majën më të lartë olimpike, por janë të rrallë ata që arrijnë aty me shumë vuajtje e sakrifica.

Ndryshe nga shumica e njerëzve, që i shijojnë kënaqësitë e botës, sportistët e mëdhenj bëjnë jetë spartane. Ngjitjet e tyre në majat më të larta të suksesit, ngjajnë si ngjitjet e alpinistëve, të cilët, shpeshherë, lëvizin me fuqitë e fundit nëpër telin e jetëvdekjes.

Sa e sa njerëz besojnë se në këtë majë përjetohet vetëm flladi i përjetshëm i lumturisë, por shumë sportistë, që janë ngjitur në majën më të lartë të suksesit dhe e kanë skalitur emrin e tyre në pllakat e përjetshme të historisë, më pas janë ndeshur me ankthin. Siç duket, atëherë janë kthjelluar sesa kanë vuajtur dhe sa kanë rrezikuar për të arritur te çasti triumfator.

Nga intervistat e sportistëve botërorë, mësojmë për vuajtjet e tyre. Mësojmë për tronditjet nga shtrëngatat e ankthit që i kanë përjetuar shkaku i stresit të përhershëm. Mësojmë se ata nuk janë vetëm atletë, por edhe personalitete me mendje të zgjuar.

Vetëm të goditurit nga shigjetat e padukshme dhe misterioze të ankthit e dinë betejën me armikun që na shpejton rrahjet e zemrës, na shkakton dridhma nëpër trup, na nxin horizontin dhe hedh copa terri mbi shpresat tona.

Vetëm ata e dinë sesi përmbyset gjithçka brenda pak kohe, pa e ditur burimin e kësaj të keqeje. Sepse, siç tha Soren Kierkegaardi, ankthi nuk ka një objekt, nuk ka asgjë specifike nga e cila kemi frikë.

Ata që janë ndeshur me këtë armik, i cili vepron brenda qenies njerëzore, mund ta kuptojnë thellësinë e pikturës “Klithma” të Edward Munch-ut. Mund ta kuptojnë pse në pikturat e Van Gogh-ut ka ngjyra të theksuara. Sepse i godituri nga sulmet e ankthit, sheh pamje që njerëzit tjerë nuk i shohin.

Demonët e padukshëm të ankthit i sulmojnë pikërisht njerëzit që jetojnë nën presionin dhe stresin e vazhdueshëm vetëm për të realizuar një qëllim të epërm.

Këta protagonistë, që bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të arritur deri te suksesi, duhet të jenë modele të kohës sonë dhe jo ca të tjerë që e arrijnë famën e përkohshme nëpërmjet marrëzive.

Për ta prekur lavdinë e përjetshme duhet pasioni dhe përpjekja titanike. Duhet të mos ligështohesh nga disfatat, që të guximshmit ia shtojnë ambiciet për të arritur në Olimpin e përjetësisë. E këtë e arrijnë ata që kanë një qëllim të epërm dhe nuk i harxhojnë energjitë e tyre vetëm për gjëra utilitare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.