Ankesë ndaj kryeministrit Mickoski për gjuhë fyese dhe nxitje intolerance

Iniciativa joformale qytetare “Megafon” i është drejtuar Avokatit të Popullit me një ankesë lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe mesazhet kërcënuese të kryeministrit Hristijan Mickoski. Sipas ankesës, deklaratat publike ku kritikët, mediat dhe kundërshtarët politikë quhen “mbeturina e shoqërisë” krijojnë klimë frike dhe intolerance. “Megafon” vlerëson se këto qëndrime bien ndesh me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe medias. Ata kërkojnë hetim institucional dhe reagim për të mbrojtur të drejtat, dinjitetin dhe sigurinë e gazetarëve dhe qytetarëve kritikë, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë ankesë, ju drejtohemi juve si qytetarë thellësisht të shqetësuar për gjuhën e urrejtjes dhe mesazhet kërcënuese të dërguara së fundmi nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski. Në mënyrë specifike, në paraqitjet e tij publike, ai i quan punonjësit e medias, kundërshtarët politikë dhe të gjithë disidentët “mbeturinat e shoqërisë” dhe njoftoi se “si Qeveri jemi fuqimisht të vendosur ta mposhtim atë mbeturinë”, e cila krijon një atmosferë intolerance, frike dhe dhune të mundshme ndaj qytetarëve që shprehen në mënyrë kritike ndaj qeverisë”, thuhet në ankesë.

Bashkangjitur është dëshmi e një fjalimi të Kryeministrit, Hristijan Mickoski, në një forum për të kthyerit në vend më 24.12.2025.

Megafon shton se deklarata të tilla janë në kundërshtim me parimet themelore demokratike, lirinë e fjalës dhe lirinë e medias të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në të njëjtën kohë, ato përfaqësojnë një formë të frikësimit psikologjik dhe nxitjes së intolerancës, dhunës dhe autocensurës në hapësirën publike.

“Ju lutemi, në përputhje me kompetencat tuaja, hetoni rastin, përcaktoni nëse janë shkelur të drejtat e qytetarëve dhe gazetarëve dhe theksoni nevojën që zyrtarët publikë të përmbahen nga përdorimi i gjuhës fyese dhe kërcënuese. Presim përgjigjen dhe rekomandimet tuaja për marrjen e masave të mëtejshme në kuadër të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve”, thuhet në ankesë.

Nga fjalimi i kryeministrit:

“Në vend ekziston njëmbeturinë nihiliste, që merret parasysh, madje edhe pamja e modelit të flokëve, merret parasysh dhe krijon një atmosferë toksike që krijon presion mbi njerëzit që duan të jetojnë normalisht, lirisht, me dinjitet në vend. Jo të gjithë mund t’i rezistojnë këtij presioni dhe ata paketojnë, e vendosin jetën e tyre dhe atë mbeturinë në shoqëri në një valixhe. Kjo mbeturinë nuk është rrallë i pranishëm në politikë. Prandaj, mesazhi im i dytë është se si Qeveri jemi të vendosur fuqimisht ta mposhtim atë mbeturinë. Jini këmbëngulës, nuk do të jetë e lehtë, por do ta fitojmë atë betejë në fund, ngadalë, betejë pas beteje”, theksoi kryeministri Mickoski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut përballet ende me sfida të theksuara në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut evidentoi se, megjithëse janë ndërmarrë hapa pozitivë drejt përputhjes me standardet evropiane, zbatimi mbetet i pjesshëm dhe kapacitetet institucionale kërkojnë forcim të mëtejshëm. Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, veçanërisht ajo me bazë gjinore dhe kundër komunitetit LGBTIQ, vazhdon të jetë problem serioz, ndërsa reagimet ligjore dhe institucionale mbeten të pamjaftueshme.

Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth këtij problemi dhe një seri shkrimesh të redaksisë sonë.