Angellov: Komiteti drejtues do të kërkojë përfshirjen e mekanizmit të ndihmës së NATO-s, edhe pse për momentin nuk ka nevojë

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angelov, thotë se në seancën e sotme të Këshillit drejtues kanë marrë vendim që t’i propozojnë Qeverisë përfshirjen e mekanizmit të ndihmës së NATO-s përmes të cilit mund të kërkohet ndihmë nga zjarrfikësit me përvojë, transmeton Portalb.mk.

“Mekanizmi i ndihmës së NATO-s ofron të njëjtat gjëra si mekanizmi i BE-së. Në këtë moment nuk e kemi një nevojë të tillë, por mund të shfaqet gjatë ditës. Në këtë moment kemi një numër të mjaftueshëm të zjarrfikësve, ushtrisë, policisë, pjesëtarëve të “Pyjeve Kombëtare”, por edhe zjarrfikësve vullnetarë që mund të përfshihen në shuarjen e zjarreve”, thotë Angelov në një video-deklaratë.

Sipas Angelovit, situata me numrin e madh të zjarreve në vend është e rëndë, por jo alarmante.

Ai thotë se mëngjesin e sotëm ka disa zjarre që janë më të rëndat dhe që shkaktojnë rrezikun më të madh.

“Të tilla janë zjarri në afërsi të Pehçevës, në shuarjen e të cilit marrin pjesë një numër i madh njerëzish dhe situata mbahet nën kontroll, zjarri në afërsi të Nagoriçanit të Vjetër i cili lëviz nëpër fshatrat Malotinë dhe Zheglanj, zjarri në territorin e Komunës së Kratovës rreth fshatit Tatumir, si dhe zjarri në Makedonski Brod, i cili digjet prej ditësh dhe kërcënon fshatrat Tazhevë dhe Breznicë, zjarri në afërsi të Shën Nikollës rreth fshatrave Makresh dhe Gjurgjenc i Epërm dhe i Poshtëm, si dhe si dhe zjarri që lëviz nga Shën Nikolla në Koçan”, shton Angelov.

Mëngjesin e sotëm, një helikopter i policisë dhe një ushtrie janë dërguar në Pehçevë, ku tashmë po marrin pjesë në shuarje. Angelov thotë se atyre do t’i bashkohet edhe një helikopter policor, si dhe tre “air traktorët” e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.

Angelov sot theksoi se deponitë nuk duhet të nënvlerësohen, sepse, siç tha ai, fillimisht dje ka rënë zjarri në një deponi në Dojran, e më pas ka mundur të ndodhë një tragjedi nga deponia për shkak se janë uzurpuar disa shtëpi aty pranë.

Zjarri në Dojran edhe sot është aktiv, por Angelov thotë se nuk i kanoset qytetit.

Për apelet që po përhapen në rrjetet sociale, në të cilat qytetarët thirren të dalin dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve, Angelov thotë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Ai thotë se qytetarët mund të jenë të dobishëm në mbrojtjen e zonave të banuara kur zjarri kërcënon një fshat ose si në rastin e mbrëmshëm kur ekzistonte një mundësi e vogël që zjarri të arrinte edhe në qytetin e Pehçevës.

“Qytetarët nuk duhet të marrin pjesë në shuarjen e zjarreve, nëse nuk pranohen nga komandantët vendorë të njësive territoriale të zjarrfikësve”, tha Angelov dhe apeloi që të mos krijohet panik i panevojshëm.

Sot është mbajtur edhe seanca e grupit vlerësues, e cila, siç tha Angelov, është fokusuar në shkaqet dhe ndoshta motivet e këtij numri enorm të zjarreve që kanë ndodhur ditët e fundit.

“Nëse kemi ndonjë të dhënë do të informojmë më tej”, tha ai.

QMKC informoi sot se si ndihma ndërkombëtare e ofruar nga BE-ja, mekanizmi i mbrojtjes civile do të përfshijë nga një helikopter nga Serbia dhe Republika Çeke, si dhe dy “ertraktors” nga Gjermania në shuarjen e zjarreve.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë sot se është arrestuar një person nga fshati i Radovishit, Ali Koç, i cili ka vënë zjarr në afërsi të fshatit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.