Panelet diellore bëhen zgjidhje për faturat e larta të rrymës

Panelet diellore po bëhen zgjidhje gjithnjë më e preferuar për shumë familje në Kosovë, që përpiqen të ulin faturat e energjisë dhe të pavarësohen nga rrjeti. Rritja e çmimeve dhe skemat e subvencionimit nga shteti duket se kanë shtuar interesimin për këtë formë të prodhimit të energjisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Familja Rashiti nuk mendon më për faturat mujore të energjisë elektrike.

Në shtëpinë e saj prej 320 metrash katrorë, në periferi të Lipjanit, ku jetojnë shtatë anëtarë, të gjitha pajisjet elektrike funksionojnë me energji diellore.

Kjo, falë paneleve me kapacitet prej shtatë kilovatësh, të vendosura në çati.

“Përgatitja e ushqimit, bojleri, frigoriferët – gjithçka funksionon me këtë energji. Prej mëngjesit e deri në mbrëmje, ne nuk marrim asnjë kilovat nga rrjeti”, thotë kryefamiljari Hajriz Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se sistemin e ka instaluar në fillim të këtij viti.

Përvoja e dikurshme si arsimtar i Teknologjisë së Informacionit, ku shpesh realizonte projekte me nxënës për energji alternative, si dhe rritja e çmimeve të energjisë, thotë se e kanë bindur për të investuar në këtë teknologji.

Sot, rezultatet flasin vetë, thotë Rashiti – nga rreth 70 euro që paguante për energji në maj të vitit të kaluar, këtë maj ka paguar vetëm 3 euro e 7 centë.

“Tri euro e 7 centë nuk janë ndonjë shumë e madhe – si të dalësh në qytet dhe t’i pish dy kafe me një shok”, thotë pensionisti.

Ai shpjegon se, gjatë ditës, familja e tij shpenzon rreth 10 deri në 20 kilovatë energji, ndërsa teprica që prodhohet, kthehet në rrjetin e Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe mund të përdoret në orët e natës apo në ditët kur prodhimi është më i ulët.

“Tash, ora është 13:09 minuta. Prej mëngjesit e deri tash ka prodhuar 29 kilovatë. Për momentin është duke i prodhuar shtatë kilovatë. Gjatë ditës, ne mund t’i shfrytëzojmë nga 10 deri në 20 kilovatë – të tjerat hyjnë në rrjet”, thotë Rashiti.

Instalimi i këtij sistemi, familjes Rashiti i ka kushtuar rreth 7.500 euro. Ata janë përfitues edhe të një subvencioni prej 1.500 eurosh nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës, megjithëse Rashiti thotë se këto mjete nuk i ka marrë ende. Kjo ministri, përmes një komunikate të lëshuar më 19 qershor, ka bërë të ditur se “mjetet pritet të disbursohen deri në fund të muajit korrik”. Vitin e kaluar, ajo ka shpallur publikisht mbështetjen për familjet dhe bizneset që investojnë në panele diellore.

Nga 448 aplikime, kanë përfituar 283 familje me mbi 460 mijë euro gjithsej. Ndërkohë, nga 67 aplikime të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, janë përzgjedhur 51 përfitues me një vlerë prej rreth 224 mijë eurosh, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

“Subvencionet për familje kanë qenë nga 250 deri në 1.750 euro, ndërsa për biznese nga 200 deri në 6.000 euro, varësisht nga kapaciteti i instaluar”, sipas njoftimit.

Autoritetet dhe përfaqësuesit e kompanive që merren me instalimin e sistemeve diellore, thonë se këtë vit është rritur ndjeshëm interesimi i konsumatorëve familjarë për të investuar në pajisje për vetëkonsum të energjisë.

Ermal Kelmendi, koordinator në kompaninë “Unisolar” që merret me projektimin dhe instalimin e paneleve diellore, thotë se subvencionet e vitit të kaluar nga Qeveria, kanë nxitur shumë familje të ndërmarrin këtë hap.

“Interesimi është shumë i madh, pasi që instalimi i këtyre paneleve ul faturat e energjisë nga 60 deri në 70 për qind”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.