Ambasadori i Shqipërisë në RMV: Jemi duke punuar që Abetaren e unifikuar ta bëjmë material kryesor mësimi (Video)

Po punohet që Abetarja e unifikuar të jetë material kryesor mësimi për nxënësit në Maqedoninë e Veriut. Kështu deklaroi sot ambasadori i Shqipërisë në RMV Denion Meidani pas shpërndarjes së këtij libri në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Ambasadori Meidani theksoi se Abetarja që e shpërndanë sot është më shumë se sa një mjet didaktik për t’i ndihmuar nxënësit për të mësuar gjuhën.

“Simbolizon fillimin e marrëdhënieve të tyre me gjuhën, traditat tona kombëtare”, tha Meidani.

Ai tha se do vazhdojnë ta shpërndajnë abetaren edhe nëpër shkolla tjera në RMV.

“Jemi duke bërë të gjitha hapat e nevojshëm për ta bërë materialin kryesor didaktik si në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Meidani.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se në periudhën që vjen do punojnë që kjo Abetare të jetë materiali kryesor për mësimin e shkronjave.

“Do të vazhdojmë që jo vetëm abetarja por edhe tekstet tjera shkollore konform ligjeve në Maqedoni të jenë të harmonizuara me Shqipërinë dhe Kosovën”, tha Kasami.

Edhe pse kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e arritur në sferën e arsimit ndërmjet RMV-së dhe Shqipërisë dhe dymbëdhjetë vjet nga përdorimi i Abetares së unifikuar shqiptare në Kosovë, nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ende nuk e kanë të gjithë në duar Abetaren e unifikuar.

Përdorimi i Abetares së unifikuar nga nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut paraprihej me ndryshim të ligjit të teksteve shkollore.

Në nëntor të vitit 2023, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se abetarja e unifikuar do të përdoret edhe në Maqedoninë e Veriut, por vetëm pasi të jenë modifikuar programet mësimore për nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe, pasi vendimi për Abetaren që tashmë përdoret në Shqipëri dhe Kosovë, ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Entit Pedagogjik.

Abetarja e unifikuar shpesh është përdorur për pikë politike nga politikanët në RMV.

Kujtojmë që, nxënësit e klasës së parë në Shqipëri dhe Kosovë mësojnë me këtë Abetare të unifikuar.