Algoritmet inteligjentë zbuluan 87 milionë fjalëkalime në 60 sekonda

Me vetëm pak dollarë, pak kohë dhe një algoritëm inteligjent brute-force, shumica e fjalëkalimeve mund të deshifrohen në më pak kohë sesa mendoni, raporton PCW. Sipas një analize nga ekspertë të Kaspersky, 59 përqind e 193 milionë fjalëkalimeve u deshifruan në më pak se 60 minuta, ndërsa 45 përqind e tyre në më pak se 60 sekonda.

Baza e sulmeve brute-force është testimi i të gjitha kombinimeve të mundshme në përpjekje për të gjetur fjalëkalimin.

Megjithatë ekspertët e Kaspersky shpjeguan se algoritmet inteligjente janë trajnuar mbi një set fjalëkalimesh për të përllogaritur frekuencën e kombinimeve të ndryshme të fjalëkalimeve nga më të lehtat tek ato më komplekset.

Kur marrim në konsideratë faktin se shumica e fjalëkalimeve kanë karakteristika të ngjashme siç është kombinimi i emrave, datave dhe sekuencave të tastierës, gjetja e tyre bëhet më e lehtë.

Studimi i Kaspersky zbuloi se me metodën brute-force, 10 përqind e fjalëkalimeve zbuloheshin në 60 sekonda, por duke aplikuar algoritme inteligjente, shifra rritej në 45 përqind. Në një afat kohor prej 60 minutash, metodat tradicionale brute-force zbulonin 20 përqind të fjalëkalimeve, ndërsa algoritmet inteligjente të trajnuara me sete fjalëkalimesh zbulonin 59 përqind të tyre.