Agon Distortion: Suksesi dhe dështimi janë iluzion sikur edhe vetë jeta

Emri i tij i skenës momentalisht është Agon Distortion, më herët njihej si Snowblack. Agon Xhemaili është një kompozitor dhe producent diskografik nga Tetova.

Si një muzikant i arsimuar klasik filloi të luante në violinë që në moshë të vogël, ndoqi shkollën e mesme të muzikës, më pas fakultetin ku u diplomua si pianist. Vjen nga familja muzikante, nëna mësuese muzike dhe babai profesor universiteti në dirigjimin e korit. Dashuria e tij për muzikën bashkëkohore dhe ‘’hip – hopin’’ filloi që në moshë të re, i ndikuar nga fundi i viteve 80 dhe 90-ta, ai filloi të bënte ‘’beat- a’’ në studion e tij në shtëpi, ku gradualisht filloi të zhvendoste fokusin e tij në kompozim dhe prodhim muzikor. Bashkëpunimet e tija janë të shumta me emra të njohur të skenës muzikore si asaj vendore edhe të huaj.

Foto nga arkivi personal i këngëtarit
Agon Distortion, foto nga arkivi personal i këngëtarit

Fitues i shumë çmimeve si edhe pjesëmarrës në shumë festivale. Dashuria e tij për muzikën dallon, pasi në të veç jep, pa pritur asgjë në këmbim, pra është dashuri e njëanshme mund të thuhet, derisa të vij koha e duhur që të çmohet muzika e veçantë që krijon Agoni. Albumi i tij ‘’ Blank’’ u promovua së fundmi mes miqve dhe njerëzve adhurues të muzikaës hip- hop,  ndërsa këngët e reja të cilat janë produkt i frymëzimit të tij asnjëherë nuk ndalen.

Është profesor i muzikës dhe kjo është arsyeja pse sheh dritën në fund të tunelit, pasi mendon se e ardhmja na sjell një vesh më te edukuar në muzikë.

Kënga To dhe next”’ u promovua në MTV. Lidhjet me Nju Jorkun i ka të shpeshta, me artistë të atjeshëm dhe me aktivitete të cilat e promovojnë atje dhe e kuptojnë më lehtësisht artin e tij.

 “Tetova ka marr çere t’kaftë” është një këngë origjinale në të folurën e Tetovës. Në fakt, të gjitha këngët thuajse këndohen në nëndialekt ose përmbajnë shprehje në zhargon. Disa janë kënduar edhe në gjuhën angleze. Tekstet kryesisht janë autoriale, të vetë Agonit.

Projektet e tij më të fundit quhen “Shajshët’’ , “Tasty” . Artisti vazhdon e krijon , sipas konceptit të Lasgushit për artin, “zogu këndon për vete’’. I tillë dhe Agoni, nuk zmbrapset kur e pyes për lexuesit e Portalbit, nëse ndonjëherë mund ta shohim të këndoj në ndonjë dasmë ,  ‘’në dasmë mund të shihni vetëm një sheshir ‘’ (qesh, duke aluduar në kapelën që e ka pjesë të imazhit) .

Foto nga arkivi personal i këngëtarit
Agon Distortion, foto nga arkivi personal i këngëtarit

Studioja ku krijon është ujdhesa jote?

Agon Distortion: Studioja ku unë krijoj është jo vetëm një ujdhesë, por thënë më mirë e gjithë bota ime, kur futem aty harroj gjithçka që me rrethon, thjesht nuk kam idenë më për orën, asgjë nuk më lidh më me kohën dhe hapësirën është vendi ku unë shprehem dhe gjejë veten. Megjithatë, ka kohë që bëj muzikë dhe krijoj  vetëm me në laptop dhe dëgjuese. Gjatë pandemisë, kur te gjithë ishim te izoluar, për mua qe një periudhë e veçantë krijimtarie ku e kisha të gjithë kohën dhe vëmendjen “pa distraction’’ .  Ishe një periudhe vërtet e begatshme me të gjitha anomalitë dhe dhimbjet që erdhën me te.

Sa jemi të gatshëm për muzikën që na ofron?

Agon Distortion: S’mundem të flas për ndonjë lloj gatishmërie, por po shoh që rinia ka filluar të ndryshoj në frymë pozitive, dëgjon muzikë kualitative pa marrë parasysh çka plasohet dhe imponohet në treg, shoh rini vërtet të kohës  nganjëherë dhe para kohe. Në shoqëri çdoherë ekziston një masë që ndjek një trend dhe një pjesë  tjetër  ndoshta me e vogël qe e di mirë çka do dhe ka  guximin të jetojë dhe veprojë siç dëshiron, jashtë rregullave të imponuara nga Ballkani Perëndimor dhe orientalizmi.

Normal që ka edhe tentim të mbahet rinia në të kaluarën, prej ku mund të kontrollohet dhe manipulohet me lehtë.

Foto nga arkivi personal i këngëtarit
Agon Distortion, foto nga arkivi personal i këngëtarit

Çka ka ndikuar në shijet tua muzikore?

Agon Distortion: Në shijen time ka ndikim gjenetik. I rritur nga prindër muzikantë dhe të suksesshëm. Muzika klasike si dhe zhanret tjera si “jazz” dhe ’’rock and roll’’ kanë pasur ndikim të madh jashtë mase në zhvillimin e shijes përfundimtare ku gjej veten dhe po e njëjta shije është në zhvillim e sipër dhe ndryshon dita ditës.

Çdo herë kam qenë i inspiruar nga arti vizual dhe teatri, gjë që shihet qartë në kompozimet e mija. Kam shkruar ‘’hip hop’’ vepra qe janë me katër kohë dhe ne formë të sonatës, të cilat më  shumë ngjajnë me një akt dramatik dhe teatral sesa me një kënge  që kënaq shqisat e shijes  se masës që përmenda pak me herët dhe qe e njëjta ka të bëj me referencën,  shumica  jep kritik në relacion me atë çka ka  dëgjuar më herët , ka shumë për tu folur në lidhje me referencën dhe si ndikon referenca në mendimin e një individi.

Çka e ushqen një artist që veç jep dhe nuk merr asgjë në këmbim?

Agon Distortion: Për mua dhe besoj për asnjë artist, qoftë ai vizual apo konceptual apo muzikor nuk ekziston “marrje ne këmbim” për artistin gjithmonë këmbimi është arti final, ndërsa një vepër artistike nuk mbaron kurrë , ekziston një thënie në gjuhen angleze : ” Art is not finalised it is abandoned ” .

Agon Distortion, foto nga arkivi personal i këngëtarit
Agon Distortion, foto nga arkivi personal i këngëtarit

Ne këtë zhanër s’jam i vetëm  ekzistojnë artistë tjerë dhe mjaft të suksesshëm si: Tyler The  Creator , Childish Gambino , Kanye West , FKA Twings dhe shumë tjerë që kanë përqafuar lirinë e shprehjes artistike duke refuzuar ‘’shundin’’ e kohës dhe  matriksin ku gjenerika sundon dhe krijon  kopje te gërditshme dhe të pa fund.

Kur i ke thënë vetes për herë të fundit “është vonë ” ?

Agon Distortion: Një njeri lind artist dhe besoj që vdes i tillë, periudha në mes është vetëm ” ndjenja ” suksesi dhe dështimi janë një iluzion sikur vetë jeta.