Ndërsa të gjithë thonë se Rusia ka rënë dhe nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e ish-sferës jugosllave, rasti i Sllovenisë, me zgjedhjen e një kryetari të ri të parlamentit me qëndrime pro-ruse, dëshmon se Rusia nuk rri duarkryq. Zgjedhja e kryetarit të parlamentit slloven, Zoran Stevanoviç, tregon një anë tjetër të operacioneve ruse.
“Fuqia e butë” e Rusisë është ende aktive dhe mund të ndryshojë rrjedhën e debatit dhe politikës në ish-sferën jugosllave dhe shumë më tepër.
Shpërthimi i debatit në Slloveni u mirëprit në Serbi dhe në qarqet ruse, pasi mbështetja për Rusinë erdhi nga pakicat serbe që jetojnë në Slloveni.
Është e pranueshme që ndikimi të jetë i fortë në Serbi, Srpska Republika, Maqedoninë e Veriut dhe tek serbët e Kosovës, por paraqitja e një ndikimi të tillë në një shtet si Sllovenia e cila gjeografikisht qëndron afër Italisë dhe Austrisë me një demokraci të konsoliduar dhe me politika anti-dezinformuese nuk ishte aq i pritur.
Me zgjedhjen e zyrtarëve të lartë, dëshirohet të ndryshohet politika e shteteve me nisma si dalja nga NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Sllovenia, që nga viti 1945, megjithëse pjesë e RSFJ-së, ka qenë një nga republikat (shteti) me orientim pro-perëndimor.
Askush nuk priste që historia e mirë e Sllovenisë do të njollosej nga deklaratat e fundit të kryetarit të ri të parlamentit me bindje pro-ruse dhe anti-perëndimore.
Më 10 prill, parlamenti slloven zgjodhi Zoran Stevanoviçin, kreun e partisë “E Vërteta” (Resni. ca), si kryetar të parlamentit me 48 nga 90 vota.
Media ruse e përshkroi këtë si një fitore hibride për Rusinë, ku përveç një pranie të konsiderueshme në Austri, Moska arriti të korrë sukses në Slloveni.
Zgjedhja e papritur e Zoran Stevanoviçit, një kryetar pro-rus në krye të parlamentit slloven, ka ngritur shqetësime në lidhje me lidhjet e politikanëve sllovenë me Moskën.
Partia e tij ka mbështetur heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë dhe madje ka propozuar një referendum për largimin e Sllovenisë nga NATO.
Kryetari i parlamentit Zoran Stevanoviç tha se planifikon të organizojë një referendum për largimin e Sllovenisë nga NATO.
Pavarësisht kërcënimeve dhe përpjekjeve për ta kthyer vendin kundër BE-së, veprimet e kryetarit konsiderohen si pjesë e frymës anti-BE dhe NATO për të formuar një bosht të ri në Evropën Qendrore.
Megjithatë, me rrëzimin e Orbanit në Hungari, veprime të tilla nuk do të kenë aq shumë efekt.
Sipas shtypit, presidenti i ri beson se Sllovenia duhet të ndjekë një politikë të pavarur dhe të shmangë përfshirjen në konfliktet ndërkombëtare.
Kryetari Zoran Stevanoviç tha gjithashtu se ka ndërmend të udhëtojë për në Moskë. Ai tha se qëndrimi i tij nuk është “pro-rus”, por i përqendruar në interesat kombëtare të Sllovenisë.
Pavarësisht deklaratave të kryetarit të ri slloven, ende nuk është marrë asnjë vendim për një referendum për largimin e Sllovenisë nga NATO.
Resni.ca dhe dy parti të tjera të vogla, Sllovenia e Re dhe Demokratët, së bashku kanë 20 vende në parlamentin slloven.
Sipas analistëve partitë e lartëpërmendura pritet të luajnë një rol kyç në formimin e një koalicioni të ardhshëm qeverisës.
Sllovenia, pasi u shkëput nga RSFJ-ja, vendosi marrëdhënie diplomatike me Rusinë në vitin 1992.
Sllovenia u bë anëtare e BE-së dhe e NATO-s në vitin 2004.
Gjasat për t’u larguar nga NATO janë të vogla, por prania e papritur e narrativës ruse në Slloveni po ngre shqetësime të reja në lidhje me operacionet ruse në procesin e vazhdueshëm të trajtuar në artikujt tanë të mëparshëm.
Dalja e Sllovenisë nga NATO kërkon një nismë prej 30 deputetësh, ndryshime kushtetuese, një referendum konsultativ dhe miratim nga parlamenti slloven.
Në përgjithësi, dalja nga aleanca është një proces i gjatë që ka pak gjasa të realizohet.
Një gjë mbetet në dyshim, nëse ky ndikim ishte i drejtpërdrejtë apo është i natyrës së ndikimit të “fuqisë së butë” ruse.
Në fakt, është një hyrje e drejtpërdrejtë ruse duke instaluar figura të rëndësishme politike në institucione të larta që mbështesin Serbinë dhe Rusinë. Rasti slloven tani është i ndryshëm nga ndikimi rus në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht, si nën qeverinë e qendrës së majtë të Robert Golobos ashtu edhe nën qeverisjet e mëparshme të qendrës së djathtë të Janez Janshës (Janša), Lubjana zyrtare ka mbështetur disa procese të rëndësishme të BE-së dhe SHBA-së, duke filluar me Kosovën dhe së fundi Ukrainën.
Sllovenia ka mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë në vitin 2022 dhe ka qenë vazhdimisht pjesë aktive e misioneve të NATO-s.
Pas zgjedhjeve të marsit, pritet të formohet një qeveri koalicioni e krahut të djathtë, që do të thotë se Sllovenia po hyn në një fazë ndryshimi ideologjik. Rusia, së bashku me Serbinë dhe elementët e fshehur, kanë vazhduar të paraqesin pengesa në shumë procese rajonale.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.