Afrim Muçaj u shpall “Aktori më i mirë” në “See Film Festival 2025” në Paris
Aktori Afrim Muçaj është shpallur “Aktori më i mirë” në festivalin “See Film Festival” në Paris, shkruan Portalb.mk.
Aktori Afrim Muçaj për Portalb.mk tha se momente si ky të kujtojnë pse i’a vlen të mos heqësh dorë kurrë.
“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin Everybody Calls Redjo është vlerësuar me çmimin “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE (South East European) Film Festival 2025, që u mbajt në Paris. Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron (regjisorin). Momente si ky të kujtojnë pse i’a vlen të mos heqësh dorë kurrë”, tha Muçaj.
Ai edhe më tej shtoi se çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik.
“Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, tha Muçaj.
Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk tha se është tepër i lumtur me suksesin e Afrimit.
“Si regjisor jam shumë i lumtur për Afrimin, shumë mirënjohës dhe krenar që ka arritur këtë suksese sepse e meriton. Ai nuk ishte vetëm aktorë që interpeton rolin, por edhe krijues i rolit të Rexhos. Ka qenë bashkëpunëtor i madh në film, ka ndihmuar shumë, edhe në skenar, edhe në ndërtimin e rolit, edhe në vetë filmin. I uroj shumë suksese prej zemre”, tha Deari.