Rasti i vrasjes së Almir Aliut: Boban Iliq nuk ndjen faj për veprën e bërë, avokati i familjes Aliu thotë se Prokuroria ka bërë lëshime (VIDEO)

13:47 -Avokati i familjes Aliu gjatë elaborimit të fjalëve përfundimtare ka nënvizuar se janë bërë një sërë shkeljesh gjatë udhëheqjes së procedurës hetimore si dhe analizës së provave materiale. Ai ka theksuar se përveç se është bërë gabim gjatë rikualifikimit të lëndës me qëllim që t’i zbutet dënimi kryerësit të veprës penale, Boban Iliq, Prokuroria nuk ka ngritur padi edhe kundër vëllait të Boban Iliqit, Bojan Iliq, transmeton Portalb.mk.

Pos kësaj pala mbrojtëse ka theksuar se tre nga katër ekspertët të cilët i kanë kryer ekspertizat kanë pasur licenca me afat të skaduar “Prokuroria ka vepruar në mënyrë selektive duke mos i pasur parasysh lëshimet gjatë procedurës hetimore. Prokurorja përgjegjëse nuk ka treguar gjithashtu kujdes që t’i kontrollojë licencat të cilave u ka skaduar afati”, tha avokati Asmir Alispahiq.

Avokati i familjes gjithashtu kërkoi që të tërhiqet akuza ndaj familjarëve Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri, të cilët akuzohen për dhunë ndaj Bojan dhe Boban Iliqit.

Në fjalët përfundimtare Boban Iliq është deklaruar se është i pafajshëm dhe nuk e pranin fajin, gjithashtu edhe familjarët Aliu nuk e pranojnë fajin.

“Çdo i akuzuar ka të drejtë të zgjedh se si do deklarohet në lidhje me akuzën. I akuzuari Boban Iliq u deklarua se nuk ndjehet fajtor as për këtë vepër penale për të cilën akuzohet, kjo e tregon mënyrën e tij se si sillej gjatë gjithë kohës në procedurë. Do të shohim gjykata çfarë vendimi do të marrë të enjten”, tha avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq para gazetarëve pas mbarimit të seancës gjyqësore.

Vendimi për rastin  do të shpallet të enjten në ora 14:00.

“Ekspertizat janë rezultat i dëshmive. Dëshmitë të cilat janë video incizimi dhe dëshmitarët e ngjarjes, janë super dëshmi dhe nga ato dëshmi janë përgatitur ekspertizat”, tha avokati i Boban Iliqit pas seancës gjyqësore.

11:35 – Në seancën ku thuhen fjalët përfundimtare për rastin e vdekjes së katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova, avokati Stevo Pavllevski duke folur në emër të Boban Iliq ka thënë se vepra është kryer e nxitur nga familjarët e Almir Aliut dhe ka kërkuar që Gjykata e Kumanovës që Iliq të lirohet çdo akuzë dhe të shpallet i pafajshëm për veprën “aksident trafiku me pasoja vdekje”, transmeton Portalb.mk.

Sipas avokati Pavllevski thuhet se Iliq veprën nuk e ka kryer me paramendim, por ka qenë i nxitur nga familjarët e vogëlushit Sedat Aliu, Abdullah Aliu dhe Sami Demiri.

“Iliq nuk është kryerës i veprës penale “Aksident trafiku me pasoja vdekje” dhe dëshmitë dhe faktet tona konstatojnë se ai nuk e ka shkaktuar situatën e rrezikshme, por kanë qenë familjarët e Almirit ata të cilët e kanë nxitur që Iliq ta kryejë këtë vepër. Sipas ngjarjes fillimisht Iliq, në spitalin ku ka ndodhur zënka verbale ka qenë i kërcënuar nga babai i Almirit ndërkaq më pas edhe i ndjekur dhe i sulmuar fizikisht nga familjarët e Almirit. Gjatë ikjes nga spitali, Iliq në mënyrë të paplanifikuar dhe të paparamenduar, në ndikim të frikës, ka goditur Almirin”, tha avokati Pavlevski.

Gjatë seancës avokati në emër të Iliqi ndaj nënës së Almir Aliut kërkoi falje për ngjarjen.

Seanca do të vazhdojë në orën 12:00 ku fjalët përfundimtare do të thuhen nga pala mbrojtëse e Almir Aliut.

*************************************************************************

10:15- Në Gjykatën Themelore në Kumanovë ka nisur seanca gjyqësore për rastin e vdekjes së katëvjeçarit nga Kumanova, Almir Aliut ku do të jepen fjalët përfundimtare të palëve, transmeton Portalb.mk.

Kjo është seanca e dytë në të cilën thuhet fjalët përfundimtare të rastit të Almir Aliut pasi që më 15 mars u rikualifikua lënda nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe mjeteve në komunikacion”, ndërkohë që për Boban Iliq, që shkaktoi vdekjen e Almir Aliut, nuk u parashtruan asnjë masë e rreptësisë dhe menjëherë u lirua nga burgu.

Arsyeja e rikualifikimit të lëndës, sipas prokurores përgjegjëse, Suzana Kusigerska ishte ekpertiza neuropsikiatrike e bërë për Boban Iliq, e cila e paraqiste kryerjen e veprës në gjendje të atakut emocional, apo pa paramendim – ekspertizë e cila u pa se ishte dhënë nga psikiatër me licencë të skaduar.

Gjatë daljes nga Burgu i Shuto Orizares, Iliq kërcënoi gazetarët gjë e cila ngjalli revoltë te qytetarët.

Si pasojë e rikualifikimi të lëndës dhe sjelljes së Iliqve, para Qeverisë së Maqedonisë u mbajtë protestë në të cilën u kërkua shkarkimi i prokurorit publik, Lubomir Joveski.

Më 1 korrik u bën një vit që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për t’u varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Kurse rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor, ndërkaq qytetarët kanë bërë disa herë protesta që e njëjta të trajtohet si vrasje me paramendim.

Sa mund ta ndihmojë drejtësinë për Almirin Komisioni Anketues i BDI-së?

“Drejtësi për Almirin” reagon ndaj iniciativës së BDI-së për formim të Komisionit Anketues!

Me vendosjen e lodrave në gardhin e Qeverisë, moshatarët kërkuan drejtësi për vdekjen e 4-vjeçarit, Almir Aliu (Foto/Video)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button