Me heshtje dhe lule për Almir Aliun: Të mos rikualifikohet vepra penale (FOTO+VIDEO)

Qytetarë nga të gjitha vendet, në Urën e Gurit të Shkupit dhe përpara Prokurorisë për Krim të Organizuar, sot kanë shprehur revoltën me heshtje dhe lule, për rikualifikimin eventual të lëndës nga “vrasje” në “aksident trafiku”, njofton Portalb.mk.

Organizatorët e protestës u shprehën që kjo protestë është për të shprehur dënim ndaj tentimit për të rikualifikuar veprën e vrasësit të vogëlushit katër vjeçar nga Kumanova, Almir Aliu.

Në lidhje me protestën e sotme, babai i Almir Aliut, Sadat Aliu u shpreh se nuk ka nevojë të bëhet rikualifikimi i lëndës, sepse ka incizime se është bërë vrasje.

“Priten edhe këso raste deri sa dolën në publik incizimet, dhe kjo është më se e arsyeshme. Nuk ka pasur nevojë të bëhet rikualifikim, dihen shkaqet e vdekjes. Ka incizime, ka fakte, argumente, mirëpo…”, tha Sedat Aliu.

Se nëse bëhet rikualifikimi i lëndës, prindi i Almir Aliut tha se “ Nuk e di, do të shohim njëherë se çfarë do të ndodhë”.

Nga ana tjetër, organizatorët shprehen këmbëngulës se revolta qytetare do të vazhdojë edhe më tej, në rast se rikualifikohet lënda gjyqësore e Almir Aliut.

Aktivistët qytetarë, me profesion aktorë, Visar Vishka dhe Diana Tahiri shprehën hamendësime se rasti i Almir Aliut duhet të shqyrtohet nga Prokuroria Publike, si pasojë e së cilës protestuesit kërkojnë që prokurorët të kryejnë punën në mënyrë profesionale.

“Nga të gjitha dëshmitë e paraqitura duket qartë se tek i akuzuari ekziston synimi për vrasje dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si vepër penale tjetër përveç vrasjes. Shprehim keqardhjen tonë që Prokuroria Publike në këtë rast nuk ka qëndruar deri në fund, por iu ka nënshtruar presioneve dhe kërkoi nga Prokuroria e Lartë Publike. Nuk mendojmë se ky rast është për Prokurorinë e Lartë ose për Prokurorinë e Republikës së Maqedonisë, pasi që ky rast është i thjeshtë dhe nuk kërkon dëshmi shkencore se bëhet fjalë për vrasje klasike dhe në asnjë mënyrë se bëhet fjalë për vepër penale tjetër. Nga Prokuroria Publike dhe prokurorët si bartës të funksioneve kërkojmë ta kryejnë funksionin e tyre në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi dhe të marrin vendim në pajtim me ligjin dhe drejtësinë, gjegjësisht të mos e rikualifikojnë veprën penale për vrasjen e Almir Aliut. Ashtu siç mund të shihet edhe nga video-inçizimet, vrasja është kryer me paramendim”, thanë Tahiri dhe Vishka në fillim të protestës.


Në fund, pas vendosjes së luleve përpara Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar, organizatori Visar Vishka shprehu pesimizëm, se pakënaqësia ndaj epilogut gjyqësor të Almir Aliut do të përfundojë me protestën e sotme.

“Jemi njerëzit që kemi marrë guxim. Qytetarë, ku nga fytyrat që shoh shumica jeni intelektual. Turpi është i atyre që nuk erdhën sot. Fatkeqësisht, nuk jemi optimist se kjo do të mbarojë këtu, se do të ndryshojnë mendimin, prandaj ju lus që të jeni aktiv edhe në protestat e ardhshme, deri sa të kemi drejtësi për Almirin dhe të gjithë ne”, tha Vishka para Prokurisë Publike.

 


——————————————-

10:00- Prokuroria Republikane në lidhje me rastin e Almir Aliut, katëvjeçarit nga Kumanova, kanë vendosur për rikualifikimin e lëndës, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

Në lidhje me këtë vendim të mundshëm të prokurorëve publik, në rrjetin sociaa fejsbuk është publikuar njoftimi dhe krijuar Eventi” (ngjarja) ku bëhet thirrje për protestë qytetare.

Protesta do të mbahet sot, më 22 janar, me fillim prej ora 14:00 në Urën e Gurit në Shkup.

“Shprehim dënimin më të ashpër për tentimet për rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje” në “aksident trafiku” me pasoja vdekje, në rastin për vrasjen e djaloshit të pafajshëm, Almirit. Nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë dhe nga prokurorët publikë si bartës të funksioneve, kërkojmë ta kryejnë funksionin e tyre në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi, dhe të marrin vendim në pajtim me ligjin dhe drejtësinë, gjegjësisht, të mos e rikualifikojnë veprën në rastin e vrasjes së Almirit. Nuk duam që edhe ky rast të jetë një nga ato, në të cilat do të konstatojmë ekzistimin e drejtësisë selektive! Shpresojmë që më në fund, drejtësia do të nis të funksionojë në Republikën e Maqedonisë, dhe do të respektohen normat ligjore”, qëndron arsyetimi i organizatorëve të protestës.

Përndryshe, vendimi i rikualifikimit të lëndës së Almir Aliut vjen pas përplasjeve të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane, ku është diskutuar për këtë rast. Sipas informatave të deritashme thuhet se prokurorët në lidhje me rastin e Almir Aliut janë ndarë në baza etnike. Pala shqiptare kërkojnë që i akuzuari Boban Iliq të gjykohet nën veprën penale “vrasje”, ndërsa pala maqedonase kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”, që parashikon të paktën 4 vjet burg.

Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas.

Ndryshe, më 1 korrik u bën një vit që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për tu varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor.

LEXO: Rasti i Almir Aliut

Skandal! Prokuroria kërkon t’ia lehtësojë dënimin vrasësit të Almirit nga Kumanova!

2 thoughts on “Me heshtje dhe lule për Almir Aliun: Të mos rikualifikohet vepra penale (FOTO+VIDEO)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP