Maqedoni, Gjykata e Kumanovës ka bërë shkelje të ligjit gjatë rikualifikimit të rastit të Almirit

Vendimi i djeshëm i Gjykatës themelore në Kumanovë për rikualifikim të lëndës së Almir Aliut është joprofesional, i paarsyeshëm dhe shkelje e ligjit. Kështu vlerësuan aktivistet për të drejtat e njeriut në Maqedoni, profesoresha Mirjana Najçeska dhe drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska e ndërsa Avokati i Popullit, Ixhet Memeti nuk e sheh veten kompetent për të komentuar rastin në fjalë, pasi sipas tij kjo “nuk është punë e tij”, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Sjellja e Boban Iliq vrau edhe njëherë Almirin e vogël: ai nuk mund të gjykohet më “për vrasje”

Në lidhje me vendimin e djeshëm, kanë reaguar edhe prokurorët republikan shqiptarë Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta duke e cilësuar të njëjtin si skandaloz. Ata thonë se “gjatë rikualifikimit të rastit të Almir Aliut është bërë shkelje e ligjit të prokurorisë publike siç janë: parimi i ligjshmërisë, i paanshmërisë, i objektivitetit dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut të cilat njëherit janë edhe vlera themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”. Për më shumë lexoni në reagimin në fotografi.

Mirjana Najcevska
Mirjana Najçevska

“Sipas mendimit tim, Gjykata në Kumanovë në mënyrë të paarsyeshme dhe në mënyrë joprofesionale ka sjellë vendim për diçka që në të vërtetë paraqet shkelje e madhe e ligjit, që përfundoi me vdekjen e një fëmije, që ta rikualifikojë në atë mënyrë. Unë nuk mendoj që bëhet fjalë për aksident rrugor, për shkelje të rregullave të komunikacionit dhe diçka që është bërë në kuadër të komunikacionit, por mendoj se bëhet fjalë për diçka që është bërë me qëllim duke e përdorur veturën si armë”, tha Najçevska për Portalb.mk.

Ndërkaq drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, vlerësoi se sjellja e pjesëtarëve të familjes Iliqi sjellë dyshime se vendimi për rikualifikimin e rastit të Almir Aliut është objektiv.

Uranija Pirovska

“Ne kemi dyshime të mëdha në rastin dhe pse u rikualifikua gjykimi. Unë shpresoj që pala mbrojtëse do të ankohet, por shpresoj se në instancë tjetër do të shqyrtohet ai aktgjykim. Sjellja e Iliqve mund sjellë dyshime edhe më të mëdha se si është vendosur në rastin e Almir Aliut dhe sa është bërë vlerësimi i rastit në mënyrë objektive”, tha Pirovska.

Ndërsa, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti dhënien e vlerësimit për vendimin e djeshëm të rastit të Almir Aliut nuk e sheh si punë të tij, megjithëse tha se: “Nëse unë e them se ai vendim duhet të prishtet, dhe ai vendim duhet të prishet”.

Ixhet Memeti
Ixhet Memeti

“Nuk është puna ime, nuk është puna e Avokatit të Popullit ajo. Unë mund të kem vlerësim privat, si Ixhet por si Avokat i Popullit diçka tjetër. Si avokat i popullit nuk është puna ime të bëj vlerësim. Nuk mund të japë vlerësim, sepse nëse unë them se ai vendim duhet të prishet, dhe ai vendim duhet të prishet. Duhet t’i dallojmë gjërat”, tha Memeti për Portalb.mk.

Vendimi është joprofesional: çfarë duhet të bëhet më tutje?

“Unë në të vërtetë do të prisja që të përfundojë procesi në tërësi, d.m.th. të përdoren të gjitha mjetet e mundshme, të cilat u ofron sistemi ynë legjislativ, dhe të shohim se nëse do të merret aktgjykimi i vërtetë, respektivisht të krijohet një mënyrë e re e shqyrtimit të tërë procedurës”, vlerësoi profesoresha Mirjana Najçevska.

Vendimi për rikualifikim i rastit të Almir Aliut kaloi pa debat të gjërë në media, madje për të njëjtin asnjëra nga partitë nuk pati reagim e ndërsa sërish u paralajmëruan protesta nga ana e iniciativës qytetare “Drejtësi për Almirin”. Protestat do të mbahen më 21 mars.

Kumanovë, rikualifikohet lënda e Almir Aliut: lirohet Boban Iliq

Përndryshe, dje në Gjykatën Themelore të Kumanovës, me kërkesë të prokurores përgjegjëse të rastit të të ndjerit Almir Aliu, Suzana Kusigerska u vendos që të rikualifikohet rasti nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe mjeteve në komunikacion”. Arsyeja e rikualifikimit të lëndës së Almir Aliut është sepse në fillim kur është ngritur aktakuza dëshmitë nga ekspertiza ligjore janë vonuar duke thënë gjithashtu se i akuzuari Boban Iliq ka kryer veprën penale në aksident trafiku duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve në gjendje të afektit emocional, apo pa paramendim. Ndaj Boban Iliq nuk është caktuar asnjëra nga masat e rreptësisë dhe i njëjti që dje ka dalë nga Burgu i Shuto Orizares.

Boban Iliq i papenduar! lirohet nga burgu dhe kërcënon ekipin e TV21 në detyrë (VIDEO)

Nga ana tjetër, para fillimit të seancës së djeshme, para Gjykatës Themelore në Kumanovë, iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” kanë vendosur “baner” ku kërkohet që të largohet prokurorja, Suzana Kusigerska.

Më 1 korrik bëhen dy vjet që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për t’u varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Kurse rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor, ndërkaq qytetarët kanë bërë disa herë protesta që e njëjta të trajtohet si vrasje me paramendim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button