Në kohën kur priten reforma, rasti i Almirit e thellon mosbesueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit

Rikualifikimi i lëndës për vrasjen e vogëlushit Almir Aliu, e thellon mosbesueshmërinë e qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë, në kohë kur Maqedonia është zotuar se do të bëjë reforma në gjyqësor, të cilat sipas punës së deritanishme ende janë larg realizimit, kështu deklarojnë për Portalb.mk, Sefer Selimi, nga Demokracy Lab dhe eksperti juridik Osman Kadriu, shkruan Portalb.mk.

“Funksionimi i shtetit të së drejtës është themeli i një sistemi funksional demokratik dhe lidhet drejtpërdrejtë me besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike. Në rastin e fundit me gjykimin e vrasësit të Almirit të vogël, qytetarët nuk janë të bindur që drejtësia po vihet në vend dhe kjo edhe më tepër thellon këtë mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë dhe vërteton që reformat në drejtësi duhet të përshpejtohen”, thotë Selimi.

Eksperti juridik Osman Kadriu vlerëson në gjyqësor jo që nuk janë bërë ende reforma, por aty ende lulëzon korrupsioni.

“Qeveria e Maqedonisë ka përpiluar një agjendë konkrete, program konkret ku parashikohen edhe prioritetet ku në vend të parë janë reformat në gjyqësorë, meqenëse se siç  është vërejtur edhe nga Komisioni Evropian dhe nga Pribe, në Maqedoni lulëzon korrupsioni, për fat të keq edhe në gjyqësor dhe prokurori, a nga këto institucione pritet që ta luftojnë korrupsionin. Meqenëse ato edhe vetë janë të korruptuara dhe komprometuara nuk mund të kemi rezultate të duhura sa i përket këtyre reformave. Sipas kualifikimeve të jashtme, shteti i Maqedonisë është i robëruar, drejtësia dhe e drejta është e robëruar, prandaj reformat duhet patjetër të fillojnë nga gjyqësori dhe të përfundojnë në gjyqësor. Qeveria nëpërmjet organeve konkrete duhet të kërkojë përgjegjësi konkrete duke përfshirë edhe shkarkimin e tyre nga posti, dhe gjithashtu edhe marrje të përgjegjësisë për veprat penale. Pa këtë nuk mund të kemi reforma thelbësore. Prandaj nuk sundon e drejta dhe ende kemi krizë politike”m thotë Kadriu.

Në lidhje me reformat në gjyqësor, Selimi thotë se ndryshimet e deritanishme në gjyqësor janë kozmetike dhe nuk kanë arritur të prodhojnë ndonjë rezultat konkret.

Reformimi i sistemit të drejtësisë është prioriteti kryesor i qeverisë së Maqedonisë dhe kushti kryesor për të përparuar në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, i saktësuar në të gjitha raportet edhe të institucioneve ndërkombëtare por edhe të ekspertëve që ndjekin zhvillimet në shtetin tonë. Ndryshimet e deritanishme janë kozmetike dhe nuk kanë arritur të prodhojnë ndonjë rezultat konkret. Kjo edhe për faktin që reformat kryesore që duhet të ndërmerren, kërkojnë shumicë të kualifikuar nga 2/3 e votave në parlament, gjegjësisht kërkon kohë për kompromis me partitë opozitare”, tha për Portalb Selimi.

Pas shpërbërjes së Këshillit për realizmin e reformave, në kuadër të dikasterit të Drejtësisë, pasi një pjesë e ekspertëve dhanë dorëheqje për shkak, se siç thanë, nuk u janë përfillur sugjerimet e tyre, së fundmi është formuar Këshilli për Ndjekjen e Zbatimit të Strategjisë për Gjyqësinë në nivel të Qeverisë, këshill të cilin e udhëheq kryeministri Zoran Zaev. Ky mekanizëm pritet t’u jap shtytje reformave në sistemin e gjyqësorit.

Megjithatë, edhe që nga koha e Qeverisë së re, gjyqësorin e kanë ndjekur një sërë skandalesh, e më i madhi prej tyre është rikualifikimi i lëndës për vrasjen e vogëlushit Almir Aliu nga Boban Iliq, i cili tanimë do të ndiqet penalisht jo për vrasje, por për aksident komunikacioni. Ndaj kësaj, qytetarët kanë shprehur revoltën duke organizuar edhe protesta me thirrje se prokurorët po e vrasin Almirin për të dytën herë.

Në raportet e Komisionit Evropian është theksuar si shumë shqetësues mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit.

Kumanovë, rikualifikohet lënda e Almir Aliut: lirohet Boban Iliq

One thought on “Në kohën kur priten reforma, rasti i Almirit e thellon mosbesueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP