Rasti “Almiri”, Avokati i Popullit thotë se ka reaguar në kohë, avokati mbrojtës demanton

“Reagimi i Avokatit të Popullit nuk është i vonuar, por kur kanë kërkuar familjarët dhe pala mbrojtëse ne jemi kyçur. Përndryshe në Maqedoni ne nuk kemi kapacitete që t’i ndjekim të gjitha rastet, kyçemi kur kemi kërkesa”, kështu iu përgjigj pyetjes së gazetarit të Portalb.mk, Avokati i Popullit Ixhet Memeti, në lidhje me atë se pse është dashur të pret mbi një vjet që ai të reagojë për rastin e Almir Aliut duke e pasur parasysh interesin publik për lëndën, shkruan Portalb.mk.

“Unë kam alarmuar sa kam vërejtur shkelje në procedurë. Dua të ju informoj se Avokati i Popullit është kyçur kur prej tij ka kërkuar familje ose pala mbrojtëse. Prej janarit të këtij viti jemi të kyçur në disa seanca dhe prej atyre seancave dhe nga ajo mënyrë se si janë zhvilluar seancat ne kemi ndërtuar qëndrim të cilin unë personalisht e kam prezantuar përpara tre muajve në një emision debativ në “200” në Alsat M. Avokati mund të veprojë në lëndët që paraprakisht i ka pasur në institucion, atëherë ka mundësi, ka  material dhe prova dhe mund të japë shumë kontribut. Në këtë rast, ne i kemi ndjekur seancat, shumica e të cilave nuk janë mbajtur, pra janë anuluar dhe nga ajo që ne kemi ardhur në përfundim se ka  lëshime procedurale, të cilat dita ditës po dalin dhe kemi dënuar veprimin e Prokurorisë e cila nuk ka derdhur djersë të mjaftueshme”, tha Memeti.

I pyetur se pse nuk ka reaguar vetë, do me thënë pa kërkuar pala mbrojtëse ose familjarët, Memeti thotë se “ajo nuk është puna e Avokatit të Popullit dhe në atë mënyrë nuk mund të veprojë me Prokurorinë”.

Nga ana tjetër pala mbrojtëse e Almirit, e demanton Memetin duke thënë se kërkesën deri tek ai nuk e kanë dërguar në janar të vitit 20187, pra nuk kanë kërkuar tani, por që nga fillimi i seancës së parë gjyqësore.

“Tani të gjithë e hedhin topin, pse më herët e pse me vonë, unë këtë e flas një vjet e gjysmë, askush nuk dëgjon. Prej më 26.05.2016, kur kam filluar me gjykimin flas vazhdimisht dhe askush s’më dëgjon. Gjithkund kemi dorëzuar kërkesa, të gjithë kanë heshtur dhe tani kur filluan protestat, tani të gjithë aktivizohen. Jo vetëm te Avokati i Popullit, por edhe te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut kemi dërguar, pra gjithkund që është dashur kemi reaguar. Kjo është e njëjtë sikur dikush e di që po kryhet vepër penale dhe policia nuk reagon dhe ju patjetër duhet që të shkoni në stacion që ta paraqisni rastin”, thotë për Portalb.mk, Asmir Alispahiç.

Avokati i Popullit ka pasur mundësi që edhe më herët të reagojë në rastin e Almirit, duke e shfrytëzuar mënyrën “me të dëgjuar”, pra nëse dëgjohet apo flitet në qarqe të gjera të njerëzve ose nëpër media, ku publikohen të dhëna apo indikacione për shkelje eventuale të reagojë.

Rasti për Almirin bëri bujë të madhe në opinion duke shkaktuar një “tërmet” mediak”, e cila nuk do të kishte si të mos arrinte deri te Avokati i Popullit. U mbajtën protesta në Shkup dhe Kumanovë dhe veç kësaj, u publikua dhe videoja ku i akuzuari për vrasje, Boban Iliq, me makinë e shtyp vogëlushin nga Kumanova.

Rast ku Avokati i Popullit ka reaguar “me të dëgjuar” është ai me vajzën 13-vjeçare nga Shtëpia për Fëmijë “25 Maj” e cila ishte abuzuar seksualisht nga persona që dyshohet të kenë qenë të punësuar në Shtëpinë për Fëmijë. Rastin në opinion e zbardhi Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button