Me një grusht dhé për Almir Aliun, në Shkup u kërkua shkarkim i prokurores Suzana Kusigerska (VIDEO)

13:30- Me një grusht dhe për Almir Aliun u kërkua shkarkimi i Suzana Kusigerska, prokurore në Prokurorinë Themelore në Kumanovë, përgjegjëse për rastin e katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova që ndërroi jetë më vitin 2016, pas goditjes me makinë nga Boban Iliq, transmeton Portalb.mk. Kërkesa u bë para Prokurorisë Themelore në Shkup, nga Anita Latifi, njëra nga tre organizatorët e protestës për vendimin e prokurorëve për rikualifikim të lëndës nga vrasja me paramendim në aksident rrugor me pasoja vdekje.

Shkarkimi i prokurores Kusigerska është kërkuar edhe më parë nga pala mbrojtëse e rastit të Almir Aliut, por është refuzuar nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore për rastin e Almirit.

Nga ana tjetër, në protestën e dytë: “Prokurorët po e vrasin Almirin për së dyti herë”, organizatorja tjetër Dijana Toska kërkoi që të konfiskohet vetura e vrasësit të Boban Iliq, apo siç e quan ajo “arma me të cilën është vrarë Almir Aliu”.

“Para një muaji ne kërkuam që të mos rikualifikohet rasti i Almir Aliut, ndërsa ne sot u përballëm me shitjen e armës e cila ia mori jetën Almirit. Prokuroria Themelore në vend se ta konfiskojë veturën, të njëjtën e ka kthyer në shtëpinë e të akuzuarit. Ne jemi të bindur se gjykatat në Maqedoni do të ulen në nivelin e tyre profesional, prandaj sot u grumbulluam këtu që kjo të mos ndodh. Kjo prokurori, gjykatat duhet të dëshmojnë se janë të gatshëm për të mbrojtur vlerën më të rëndësishme njerëzore, të drejtën për jetë”, tha Dijana Toska, transmeton Portalb.mk.

Ndërkaq Visar Vishka shprehu mllefosjen për deklaratën e prokurorit të ri Publik, Lubomir Joveski, i cili në Kuvendin e Maqedonisë deklaroi se vendimi për rikualifikim e lëndës së Almir Aliut është nënshkruar nga ish prokurori, Marko Zvërlevski.

“Joveski nuk është recidiv i qeverisë së kaluar, por i kësaj qeveri të re. Joveski ka gënjyer në Kuvend kur tha se vendimin për rikualifikimin e lëndës është nënshkruar nga Zvërlevski. Prandaj lusim Joveskin, i cili gënjeu në Kuvend që ta nxjerrë dokumentin që e ka nënshkruar, sipas tij Zvërlevski”, tha Vishka.

Meqë në rrjetin social jutjub dje, nga kanali i Boban Iliq u publikua një video ku ky i fundit thirret në dëshmi të plotë për goditje të paqëllimshme, Visar Vishka tha se: ” videoja moti ka dalur në publik, dhe është dëshmi se si kriminelët lëvizin lirshëm në këtë shtet”.

Protestuesit paralajmëruan edhe protesta të tjera.


Ndërkaq, derisa në rrjete sociale shpërndahej ngjarja për protestën e sotme, në anën tjetër, personi Boban Iliq ka nxjerrë në shitje “Mercedesin” me të cilin goditi për vdekje Almir Aliun.

Se bëhet fjalë pikërisht për veturën me të cilën u godit Almir Aliu, tregon edhe dokumenti i mëposhtëm ku shkruan se “Mercedes”-i me tabela të regjistrimit KU-0914-AD është vetura me të cilën është goditur Almir Aliu më 25 qershor të 2016-s.

Prokurori Joveski, në lidhje me këtë lëndë, ka deklaruar se vendimi për rikualifikim është marrë përpara se ai të emërohet prokuror, gjegjësisht në kohën kur funksionin e prokurorit skandaloz i afërt me VMRO-DPMNE-në, Marko Zvërlevski.

“Lënda gjendet në procedurë përpara Gjykatës Themelore. Përndryshe, përpara se të emërohem prokuror publik, në Prokurorinë e Lartë është bërë rikualifikimi i veprës, megjithatë tani rasti përsëri është në procedurë, gjegjësisht filloi nga e para, dhe do të veprohet sipas ligjit”, deklaroi Joveski.

Avokati Stevan Pavleski, i cili e përfaqëson të akuzuarin, ka sqaruar se në procedurë ende nuk është bërë rikualifikimi i veprës, gjegjësisht i akuzuari ende trajtohet për “vrasje”, por ashtu siç theksoi pritet që prokurori publik ta rikualifikojë veprën kur ta japë fjalën përfundimtare.

Përpara se të merret ky vendim, ka pasur përplasje të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane. Nga 10 prokurorë, 4 kanë votuar “kundër” ndërsa 6 të tjerë, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë insistuar që në seancën e radhës vepra të rikualifikohet në formën e prerë dhe në gjykim të shkoj si “aksident me pasojë vdekjen e katër vjeçarit Almir Aliu” më 25 qershor të vitit 2016 nga Boban Iliq.

Mospajtime dhe shtyrje të seancave ka pasur edhe para vitit të ri, ndërsa marrja e vendimit herën e fundit ishte shtyrë deri në zgjedhjet e Prokurorit të ri republikan Lubomir Jovevski, për t’i lënë hapësirë edhe atij në shqyrtimin e rastit. Por, në takimin me prokurorin e ri edhe Jovevski ka mbajtur anën e grupit që kërkon rikualifikimin e rastit.

Më 1 korrik u bën një vit që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për t’u varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Kurse rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor, ndërkaq qytetarët kanë bërë disa herë protesta që e njëjta të trajtohet si vrasje me paramendim.

Me heshtje dhe lule për Almir Aliun: Të mos rikualifikohet vepra penale (FOTO+VIDEO)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP