Angellov: Për shuarjen e zjarreve kemi 4 helikopterë, asnjë “Air traktor” dhe mungojnë mbi 600 zjarrfikës

Aktualisht vendi ka 4 helikopterë, asnjë “Air traktor” për luftimin e zjarreve, por kemi edhe mungesë të madhe të zjarrfikësve, tha sot Stojançe Angelov, drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK). Në konferencën për media, Angellov foli për numrin e përgjithshëm të mjeteve të disponueshme për shuarjen e zjarrit në territorin e shtetit, duke pasur parasysh temperaturat e larta që do të kontribuojnë në tharjen e vegjetacionit dhe zjarret, transmeton Portalbmk.mk.

Nga katër helikopterët, 3 janë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe një i ushtrisë. Helikopteri i ushtrisë është mjaft i ngarkuar, tha Angelov, por në situatë të rëndë mund të llogaritet.

“Deri në këtë moment “Airtraktorët” e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) nuk janë funksionalë, sepse dy pilotë janë në pension, ndërsa nuk lejohet të fluturojë me një pilot. Me gjithë përpjekjet e drejtorit, ky problem prej 2-3 muajsh nuk është tejkaluar, Qeveria në largim në asnjë seancë nuk ka dhënë leje që këta dy pilotë në pension të punësohen me kontratë pune. Unë besoj se qeveria e re në njërën nga seancat e para do të gjejë zgjidhje për këtë problem”, tha Angelov.

“Sot nuk jemi të përgatitur sa duhet, por për 10 ditë do të jemi plotësisht të gatshëm për t’u përballur me zjarret”, shtoi ai.

Drejtori theksoi se në vend janë 938 zjarrfikës, ndërsa mungojnë edhe 670. Mosha mesatare e zjarrfikësve është 42.5 vjeç.

“Situata në Brigadën e Zjarrfikësve të Shkupit është më alarmante. Nuk guxoj as të them se sa zjarrfikës mungojnë, ndërsa kanë shumë punë, si në zonat urbane, ashtu edhe në vendbanimet periferike”, tha Angelov dhe shtoi: “U bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që kur punësojnë zjarrfikës të punësojnë njerëz të rinj dhe të shëndetshëm, dhe jo në 40, 50 vjeç me probleme shëndetësore”.

Ashtu si edhe më parë, ai në disa raste u bëri thirrje kryetarëve të komunave që për çdo zjarr të mos kërkojnë mbështetje nga “air traktorët”.

“U bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të ndjekin procedurat e përcaktuara me ligj dhe të kërkojnë mbështetje ajrore kur të jenë shterur të gjitha mundësitë e tjera. Zjarret nuk mund të shuhen nga ajri me air traktorë dhe helikopterë pa mbështetjen e zjarrfikësve nga toka. Është e pamundur të shuash një zjarr derisa çizmet e zjarrfikësit të shkelin mbi të”, tha Angelov.