Zvarritet projekti i ujësjellësit në Komunën e Likovës, punimet nuk kanë filluar ende në fshatrat Opajë, Hotël, dhe Ropalcë

Projekti i ujësjellësit në Komunën e Likovës po zvarritet dhe punimet në fshatrat Opajë, Hotël dhe Ropalcë nuk kanë filluar ende. Hamdi Sherifi, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Penda”, theksoi se vonesat janë shkaktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ka vonuar procedurat e tenderimit për ndërtimin e rezervarëve dhe rrjetit sekondar të ujësjellësit të këtyre fshatrave. Ndërkohë, banorët e kësaj komune ende nuk kanë ujë të pijshëm, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse më 28 mars 2025, kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi njoftoi banorët e komunës se projekti i ujësjellësit ka përfunduar, dhe se prej me 3 prill 2025 mund të aplikojnë për kyçje të ujësjellësit. Por, ai nuk përmendi fshatin Opajë, Hotël, dhe Ropalcë, ku punimet nuk kanë filluar ende.

Në një bisedë për Portalb.mk, Izer Ajvazi nga fshati Opajë thotë se punimet për ujësjellësin ende nuk kanë nisur dhe se deri më sot nuk është vendosur as edhe një gozhdë.

Punimet nuk kanë filluar fare. Nuk dimë asgjë, vetëm njëri prej tyre ka ardhur deri në fshat për të biseduar, por nuk na tha nëse do të bëhet apo jo. Fshatin tonë e kanë hequr nga lista dhe nuk e di se çka është puna. Mund të them me bindje se nuk është vendosur as edhe një gozhdë, që të thuhet se diçka është bërë, dhe gjatë këtij mandati, nuk është punuar aspak në Opajë”, tha Ajvazi.

Ngjashëm theksoi edhe kreu i fshatit Ropalcë, Nuri Saliu.

“Punimet për ujësjellësin nuk kanë nisur, dhe deri tani nuk është punuar asgjë”, tha ai.

Ndërsa disa nga banorët e fshatit Hotël theksuan se çështja e ujësjellësit është diskutuar ndër vite, por punimet ende nuk kanë filluar.

Kurse me 23 maj 2025, Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, u takua me banorët e fshatit Hotël për të diskutuar sistemin e ujësjellësit, dhe gjatë atij takimi të gjithë ndanë idetë e tyre për furnizimin me ujë të pijshëm, por në terren ende nuk kanë filluar punimet.

Elemente të rrjetit të ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Vishticë. Foto nga faqja e komunës së Likovës në Facebook.
Elemente të rrjetit të ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Vishticë. Foto nga faqja e komunës së Likovës në Facebook.

Nga Komuna e Likovës na thanë që të drejtohemi te Ndërmarrja Publike Komunale “Penda”.

Hamdi Sherifi, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Penda” për ujësjellës dhe kanalizime për Portalb.mk theksoi se punimet në fshatin Opajë dhe Ropalcë nuk kanë filluar ende për shkak të vonesave nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dhe se në fshatin Hotël është projekt i Komunës së Likovës nga kredia hungarez.

“Rrjeti është dërguar prej në Slluçpan deri te xhamia e fshatit Opajë, dhe në projekt të vitit 2025 përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë paratë e siguruara 900 mijë euro për realizimin e rezervarit dhe rrjetit sekondar të fshatit Opajë dhe Ropalcë, përse nuk bën shpallje ministria nuk e di atë pjesë, ajo është një punë e kryer po pse nuk e bëjnë nuk e di. Ndërsa për fshatin Hotël me thirrjen që është bë prej kreditit hungarez ne kemi projektin për rekonstrim të rezervuarit, rrjetit sekondar dhe kyçja prej linjës te varrezave të dëshmorëve që shkon në fshatin Mateç deri te rezervari ajo pjesë do të punohet, me pjesën e dytë të këtij projekti, dhe kjo realisht duhet pas muajit tetor të realizohet, dhe është e fituar tash pritet të shpallet për të lidhur kontratë dhe fshati Hotël është punë e kryer që varet nga Komuna e Likovës. Ky fshat deri tash ka qenë në fazën ku qytetarët kanë refuzuar të bëhen pjesë e ujësjellësit për shkak se kanë ujin e malit prej burimeve të tyre, kështu kanë vendosur së bashku me bashkësinë lolake “Shoqata”, për gati një vit, dhe tash në mbledhjen e fundit që e kemi pasur janë dakorduar dhe do të futen edhe ato në sistemin e ujësjellësit të komunës, dhe kemi arritur një marrëveshje dhe të realizojmë pjesën tjetër”, tha Sherifi.

Ai theksoi se pasi që janë në fazën e aplikimit deri tash ka pasur mbi 600 aplikime nga qytetarët për kyçje në rrjet, përveç banorëve të fshatit Opajë, Hotël, dhe Ropalcë të cilët duhet të presin deri sa të kryhet faza e fundit e ujësjellësit.

Për të funksionuar filtër stacioni për ta lëshuar në përdorim, neve na duhet një kyçje minimumi 50 përqind, që së paku i harxhimeve sepse nuk mundemi të gjithë atë filtër stacion ta lëshosh në përdorim të bëje harxhime me përpunimin e ujit klorit, alumin sulfatit të gjitha ato elemente kimike shembull vetëm për 50 shtëpi në një fshat, për atë e kemi bë zgjidhjen të përgjithshme që të aplikojnë të gjithë të shohim interesimin e qytetarëve, por fatkeqësisht interesimi ka qenë i dobët, nuk e di për çfarë arsye, por kohët fundit është rritur interesimi ndoshta për shkak të temperaturave por prapë nuk është i mjaftueshëm, që ne të kemi një numër të mjaftueshëm që ta lëshojmë në përdorim ujin”, shtoi ai.

Sherifi theksoi se të gjithë qytetarët që duan të aplikojnë duhet të paraqiten në Ndërmarrjen Publike Komunale “Pisha”, ku u nevojitet vetëm letërnjoftimi, një adresë e-maili dhe numri i telefonit. Sipas tij, kjo kërkesë vjen pasi në të ardhmen planifikohet që faturat të dërgohen në mënyrë elektronike dhe pagesat të kryhen përmes një aplikacioni digjital.

Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe rezervarit drejtë përfundimit në fshatin Vishticë. Foto nga faqja e komunës së Likovës facebook.
Elemente të rrjetit të ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Vishticë. Foto nga faqja e komunës së Likovës në Facebook.

Pyetëm edhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se deri ku ka arritur procedura e tenderimit për ndërtimin e rezervarëve dhe rrjetit sekondar të ujësjellësit për fshatrat Opajë dhe Ropalcë në Komunën e Likovës, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Portalb.mk sjell një kronologji të fshatrave ku janë realizuar testimet e punimeve dhe funksionalizimi i hidranteve.

  • Në fshatin Likovë, lëshimi i ujit të pijshëm u realizua me 3 prill 2025.
  • Me 25 qershor 2025 në fshatin Orizare u bë lëshimi i hidranteve dhe kontrolli i plotë në terren për t’u siguruar që i gjithë sistemi të jetë funksional.
  • Në Sllupçan, rezervuarët janë të mbushur dhe funksionalë prej me 27 qershor 2025.
  • Në fshatin Vaksincë u bë testimi i rrjetit dhe i rezervuarit të ri me 15 korrik 2025.
  • I njëjti proces u realizua edhe në Llojan me 17 korrik 2025.

Ndërkohë, qytetarët mund të paraqiten në zyrat e Ndërmarrjes Publike Komunale “Penda” për të aplikuar për lidhje në rrjet.

Kujtojmë se më 20 qershor 2024, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, për Portalb.mk deklaroi se çdo qytetar është i obliguar të paguajë 18.200 denarë me 18% TVSH (rreth 350 euro) për kyçje në ujësjellës.

Megjithëse, punimet për ujësjellësin kanë filluar prej kohësh, të njëjtat janë zvarritur dhe banorët e Komunës së Likovës vazhdojnë të mbeten pa ujë të pijshëm.