Zelenski beson se mund t’i shpëtojë marrëdhëniet me ShBA-në dhe dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet

Volodymyr Zelensky tha se beson se mund të shpëtojë marrëdhënien e tij me Donald Trumpin pas takimit të tyre shpërthyes në Shtëpinë e Bardhë të premten, por beson se bisedimet duhet të mbahen me dyer të mbyllura, raporton CNN.

Zelensky përsëriti se Ukraina nuk do t’i dorëzojë territorin Rusisë si pjesë e një plani paqeje dhe shtoi se ai ende dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë para kamerave televizive të premten, Zelensky u sulmua rëndë nga Trump dhe JD Vance, të cilët e akuzuan atë për mosmirënjohje dhe mosrespektim ndaj Shteteve të Bashkuara. Zelensky më pas duhej të largohej herët nga Shtëpia e Bardhë, me Trumpin që i tha të kthehej kur të donte vërtet paqen.

Zelensky ishte në humor të mirë pas samitit të jashtëzakonshëm të liderëve evropianë në Londër, në të cilin u miratuan katër hapa kyç për zgjidhjen e luftës në Ukrainë dhe ai shprehu qartë dëshirën e tij për të vazhduar bisedimet me Uashingtonin.

“Nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë së mbështeturi Ukrainën. Si udhëheqës të botës së qytetëruar, ata nuk do të donin të ndihmonin Vladimir Putinin. Sa i përket marrëdhënieve tona të ardhshme me Shtetet e Bashkuara, mendoj se ato do të vazhdojnë. Megjithatë, nuk mendoj se biseda të tilla duhet të jenë plotësisht të hapura. Ajo që ndodhi nuk solli asgjë pozitive apo shtesë për ne si partnerë”, tha Zelenski.

Në një samit në Londër, liderët evropianë ranë dakord të paraqesin planin e tyre të paqes në Uashington, me shpresën se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.

“Ukraina ende dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara. Ne ramë dakord ta nënshkruanim dhe ishim gati. Të jem i sinqertë, mendoj se edhe SHBA-të janë të gatshme ta nënshkruajnë”, tha Zelensky, duke shtuar se pas takimit të së premtes ka pasur kontakte mes SHBA-së dhe Ukrainës, por jo në nivel të lartë.