Xhaferi nuk përgjigjet se pse nuk u ndërtuan 8 sallat sportive në Tetovë thotë “nuk jam përfaqësues i BDI-së” (Video)

Kryeministri teknik i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Talat Xhaferi nuk përgjigjet se pse nuk u realizua ndërtimi i tetë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës, i cili është premtim në programin zgjedhor të vitit 2020/24 të BDI-së, shkruan Portalb.mk.

I pyetur për këtë në një promovim të rrugës në fshatin Gllogjë të Komunës së Tearcës, Xhaferi refuzoi të përgjigjet.

“Do shkoni deri në Reçicë, deri në Reçicë do shkoni, po më pyetni mua për BDI, nuk jam përfaqësues i BDI-së unë. Po vij nga radhët jam kryeministër nuk jam përfaqësues i BDI-së… Fola për tjetër send pak më herët, për programin zgjedhor nuk e përfaqësoj”, tha Xhaferi.

Megjithatë “Reçica” të cilës i referohet Xhaferi, apo nga selia e BDI-së nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.

Në heshtje qëndrojnë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila udhëhiqet nga kuadro të BDI-së.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, te pjesa e projekteve kapitale në arsim përmendet ndërtimi i tetë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës.

Sipas programit sallat sportive do fillonin të ndërtoheshin në vitin 2020 dhe do të përfundonin në vitin 2024 për këto shkolla: “Bratstvo Migjeni”, “Andrea Saveski Kikish”, “Kirili dhe Metodi”, “Liria”, “Naim Frashëri”, “Istikball”, “Rilindja” në Sellcë dhe “Gjergj Kastrioti” në Xhepçisht.

Sot, katër vite më vonë në terren nuk janë realizuar shtatë nga këto salla sportive.

Sallë sportive është ndërtuar vetëm në shkollën “Andrea Saveski Kikish”, ku shumica e nxënësve janë maqedonas.

Mungesën e sallave sportive nxënësit dhe arsimtarët e këtyre shkollave e ndjejnë më tepër gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur ora e edukatës fizike duhet të zhvillohet brenda.