Vuçiq planifikon të japë dritë jeshile për hapjen e minierës më të madhe të litiumit në Evropë

Aleksandar Vuçiq është gati t’i japë dritë jeshile gjigantit të minierave britaniko-australiane Rio Tinto për të hapur minierën më të madhe të litiumit në Evropë, dy vjet pasi Serbia anuloi projektin, raportoi Financial Times. Vuçiq i tha gazetës se garancitë e reja të marra nga Rio Tinto dhe Bashkimi Evropian duhet të adresojnë shqetësimet e Serbisë nëse do të përmbushen standardet e nevojshme mjedisore për vendndodhjen Jadar në perëndim të vendit.

I konsideruar nga SHBA dhe BE si lëndë e parë kryesore, litiumi përdoret në bateritë për automjetet elektrike dhe pajisjet e lëvizshme.

“Nëse plotësohen të gjitha kushtet, miniera mund të hapet në vitin 2028. Vlerësohet se do të prodhojë 58 mijë tonë litium në vit, që do të mjaftonte për 17% të prodhimit të automjeteve elektrike në Evropë, pra 11 milionë makina“, tha Vuçiq..

Në vitin 2021 dhe 2022, aktivistët serbë mblodhën 30,000 nënshkrime në një peticion që i kërkon parlamentit të miratojë një ligj për të ndaluar eksplorimin e litiumit në vend. Në vitin 2022, autoritetet serbe revokuan lejen për projektin 2.4 miliardë dollarësh Rio Tinto në Jadar pas protestave masive mjedisore.

Nëse realizohet, do të plotësojë 90% të nevojave aktuale evropiane për litium dhe kompania do të bëhet prodhuesi kryesor i litiumit.