Von der Leyen dënon mizorinë në Gaza: Nuk ka justifikim për sulmin ndaj spitalit plot me civilë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi ashpër sulmin e mbrëmshëm në spitalin Arab Al-Ahli në Gaza, ku vdiqën qindra njerëz, duke theksuar se nuk ka asnjë justifikim për një sulm ndaj një spitali të mbushur me civilë, transmeton Portalb.mk.

“Mbrëmë një tragjedi na tronditi të gjithëve. Një spital në Gaza që kujdeset për qindra të plagosur është kthyer në një ferr. Skenat nga spitali Al-Ahli janë të tmerrshme dhe shqetësuese. Nuk ka asnjë justifikim për të sulmuar një spital plot me civilë”, tha von der Leyen në fillim të fjalimit të saj para eurodeputetëve në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Ajo tha se të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen dhe fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Në këtë orë tragjike ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të mbrojtur civilët nga tmerret e kësaj lufte” shtoi presidentja e KE-së.

Duke iu referuar sulmit në Bruksel ku mbetën të vrarë dy shtetas suedezë dhe Kibbutz Kfar-Aza në Izrael, von der Leyen tregoi se terrorizmi po merr sërish vrull.

Ajo përsëriti konkluzionet e Samitit të jashtëzakonshëm të djeshëm të BE-së, të mbajtur përmes video-konferencës, të cilat rikonfirmuan solidaritetin e Unionit me Izraelin dhe të drejtën e tij për të mbrojtur veten, si dhe nevojën për të shtuar ndihmën humanitare për popullin palestinez në Gaza.

Terrori i Hamasit sjell vuajtje të mëdha për popullin palestinez dhe nuk ka asnjë kontradiktë në solidaritetin e Bashkimit Evropian me Izraelin dhe veprimet tona për nevojat humanitare të palestinezëve, tha Von der Leyen.

Ajo kujtoi vendimin e Komisionit Evropian për të trefishuar ndihmën humanitare për palestinezët dhe përpjekjet për të vendosur një “urë ajrore” midis Egjiptit dhe Gazës për dërgimin e shpejtë të ndihmave.

“Ne jemi në kontakt me autoritetet egjiptiane për të lejuar që ndihma jonë të hyjë në Gaza nga Egjipti. Dhe stafi i Komisionit ndodhet në Egjipt për t’u përgatitur për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza. Ne gjithashtu u shpjegojmë autoriteteve izraelite se është e nevojshme të sigurohet ujë për Gazën. Është një e drejtë themelore e njeriut”, tha ajo.

Hamasi fajësoi Izraelin për sulmin në spitalin në Gaza.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se pas kontrollit të sistemeve të vëzhgimit, kanë konstatuar se nuk ishte një sulm i Izraelit, por raketa të lëshuara nga Xhihadi Islamik që goditën spitalin në Gaza.

Zëdhënësi i Xhihadit Islamik, Daud Shehab, i hodhi poshtë akuzat e IDF si një gënjeshtër dhe trillim të plotë.

“Kjo është gënjeshtër dhe trillim, është krejtësisht e pavërtetë. Ata po përpiqen të mbulojnë krimin dhe masakrën e tmerrshme që kanë kryer kundër civilëve”, tha Shehab, transmeton Reuters.

Sulmi në spitalin në të cilin u strehuan shumë banorë të Gazës duke ikur nga bombardimet izraelite shkaktoi reagime të dhunshme në mbarë botën, veçanërisht në botën arabe, dhe protesta u organizuan gjithashtu para ambasadave izraelite në Turqi dhe Jordani dhe pranë ambasadës amerikane në Liban, ku forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili qeveris territorin palestinez në Bregun Perëndimor, e quajti shpërthimin në spitalin Al Ahli një masakër të tmerrshme ushtarake.

Shpërthimi në spital është incidenti më i përgjakshëm i vetëm në Gaza që kur Izraeli nisi një seri bombardimesh në hakmarrje për një sulm të Hamasit ndaj komuniteteve jugore izraelite më 7 tetor, ku u vranë 1,300 njerëz.