Vlora Ademi në OpenMic: Kemi talente por nuk e kemi nivelin e duhur, andaj themeluam shkollën e matematikës

Në episodin e trembëdhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me Vlora Ademin, themeluesen e Shkollës së Matematikës në kuadër të digitime.

Me atë biseduam për mundësitë që kjo shkollë ofron, interesimin e të rinjve ndaj shkencës, sfidat në sistemin edukativo-arsimor dhe shumë të tjera.

Ademi tregoi se Shkolla e Matematikës është nismë në kuadër të programit digitime, arsyeja pse erdhi deri te themelimi i së njëjtës siç sqaroi ajo është se ka talente, mirëpo nuk është niveli i duhur me të cilët ky program do të punonte.

“Ideja e programës ishte që të mund faktikisht të identifikojmë fëmijët që kanë talent, pasion ndaj shkencës, t’i identifikojmë në moshë më të re, të punojmë më afër tyre, t’i mentorojmë dhe t’i udhëzojmë në rrugën e drejtë”, tha Ademi

Ajo mes tjerash tha se shkenca nuk mund të mësohet për dy, gjashtë apo tetë muaj, por që nevojitet përkushtim më i madh.

“Unë mendoj se ka shumë boshllëqe në sistemin edukativo-arsimor te ne të cilët, prindërit e kanë të domosdoshme të shikojnë alternativa të ndryshme, se cila do të bëhet përzgjedhja në fund i ngelet që në bashkëbisedë me fëmijën a do të zgjedhin shkencat apo do zgjedhin ndonjë lëndë të fushës shoqërore”, tha Ademi.

Ajo porositi gjeneratat e reja që të identifikojnë me kohë se cili do ishte profesioni i tyre, në mënyrë që të mund të orientohen në këtë fushë sa më herët.

“nuk dua që të mbërrini në atë grup moshe në të cilën shembull vini në atë moshë kritike të gjimnazit, viti i tretë-katërt dhe pyesni veten a do bëheni mjek, a do bëheni programer, ato dy fusha nuk përputhen njëra me tjetrën, domethënë totalisht jemi jashtë lojës”, theksoi Ademi.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.