VLEN do të garojë bashkë në zgjedhjet lokale 2025

Partitë e Koalicionit VLEN do të garojnë bashkë në zgjedhjet lokale të ardhshme, raporton Portalb.mk.

Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Ai tha se VLEN ka krijuar trupa të cilët bëjnë koordinim të aktiviteteve para zgjedhjeve lokale, ndërsa nëse VLEN do të bëhet një strukturë e vetme politike, siç tha Kasami mbetet të shihet pas zgjedhjeve lokale.

“Në këtë periudhë deri në zgjedhjet lokale jemi duke ndërtuar trupa të përbashkët të VLEN-it që bëjnë koordinimin e të gjitha aktiviteteve duke qenë pjesë e qeverisë. Në këtë fazë ka koordinim shumë të mirë të aktiviteteve dhe besojmë që deri në zgjedhjet lokale do të jemi në këtë fazë, pasi është e rëndësishme që të motivojmë strukturat partiake dhe të mos i shkrijmë ato. Në zgjedhjet lokale besojmë që do të kemi rezultat pozitiv dhe atëherë do të krijohen kushtet për t’u bashkuar si strukturë e vetme politike”, tha Kasami.

Koalicioni VLEN përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit).

Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.

Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të mbahen vjeshtën e vitit 2025.

Zgjedhjet e kaluara lokale u mbajtën në tetor të vitit 2021.