Viti i brishtë

Sot është dita plotësuese që e kemi në këtë vit që ka 366 ditë. Është një ditë e mirë për të menduar se çfarë bëjmë dhe si i kalojmë ditët tona të zakonshme. Çka do të thotë një ditë plus në jetën tonë? Sikur kjo të ishte dita jonë e fundit në këtë botë çfarë do të bënim? Thonë se që të jetosh një jetë të plotë duhet të jetosh çdo ditë sikur të ishte dita jote e fundit mbi dhe. Por në fakt shumica prej nesh jetojnë në të ardhmen, duke qenë të bindur se do të jetojnë përgjithmonë.

Ka shumë tradita dhe besëtytni që lidhen me ditën e njëzetenëntë të muajit shkurt. Homo Sapiensi, si gjithmonë ka dëshirë që të krijojë përralla për çdo dukuri dhe ta bëjë sa më të veçantë dhe ekzotike një ditë që nuk është diçka tjetër veçse një mënyrë më e saktë për të llogaritur kohën. Pra, toka rrotullohet rreth Diellit për 365 ditë dhe 6 orë. Ato 6 orë brenda 4 vitesh rezultojnë në një ditë plotësuese prej 24 orësh. Prandaj shkurti çdo katër vjet ka 29 ditë dhe atë vit që ka 366 ditë e quajmë vit i brishtë, për ta dalluar nga vitet tjera.

Mendoj se fakti që e quajmë këtë vit vit të brishtë në gjuhën tonë lidhet me besimet e njohura në rajon, ku njerëzit mendojnë se ky mund të jetë një vit i delikat dhe i dekurajojnë për shembull çiftet që të lidhin martesë me 29 shkurt sepse besohet se ato martesa janë të paracaktuara të mbarojnë me divorc. Sikur martesat e lidhura në ditë tjera nuk mbarojnë me divorc! Por ja që Homo Sapiensi ka nevojë herë pas herë të besojë në gjepura.

Në Angli, Skoci dhe Irlandë historikisht është zhvilluar tradita kur me 29 shkurt gratë u propozojnë burrave për martesë. Në shoqëritë patriarkale tradita e ka kërkuar që burrat të propozojnë martesën. Kur gratë kanë kërkuar ta bëjnë të njëjtën, u është mundësuar që një herë në katër vjet të mund ato të propozojnë martesën, ndërsa burri që nuk e ka pranuar martesën e propozuar nga gruaja është dënuar me gjobë. Sërish bëhet fjalë për traditë që qartazi i tregon karakteristikat e patriarkatit ku gratë nuk kanë mundur as të realizojnë një të drejtë të thjeshtë si që është propozimi për martesë. Në kohërat moderne, kur nuk vlejnë më rregullat mesjetare, gratë mund të propozojnë martesë kur të duan dhe jo vetëm një ditë në çdo katër vjet. Në kohët moderne gratë kanë të drejtën e votës, edukimit, abortit, punës, mundësive të barabarta dhe të drejta të tjera që kohë më parë as nuk kanë mundur t’i mendojnë. Janë munduar shumë për të dalë nga zgjedha mesjetare, por megjithatë ballafaqohen ende me probleme të shumta dhe të gjithanshme të barazisë gjinore.

Për ne ky vit i brishtë është vit i zgjedhjeve të dyfishta, parlamentare dhe presidenciale. Disa thonë që është vit pa fat për të bërë zgjedhje, të tjerët përkundrazi e shohin këtë si vit të veçantë. Mua më pëlqen të mendoj se ne vet vendosim një pjesë të mirë të fatit tonë përmes punës që e bëjmë. Nëse duam të shohim rrëmujë dhe mjerim, këtë do ta shohim. Nëse duam të shohim progres dhe rend, këtë do ta shohim. Varet prej nesh se çfarë bëjmë në këtë ditë plus që e kemi, por edhe në çdo ditë tjetër që na është dhënë për të jetuar. Varet nga ne se në çfarë shteti duam të jetojmë dhe kush duam të na udhëheqë. Varet nga ne sa do të punojmë për vlerat tona si familja, shoqëria, puna, mirëqenia, shëndeti… Varet nga ne dhe jo nga besëtytnitë mesjetare e as nga paracaktimet se a do të jetë ky një vit i brishtë, i mbrapshtë apo me fat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.