Viktima dhe shkatërrime nga stuhitë në Shtetet e Bashkuara

Disa shtete në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi vdekjeprurëse. Autoritetet njoftojnë për disa të vdekur pasi një tornado shkatërroi ndërtesa dhe i hodhi makinat si lodra. Një javë më parë stuhi të fuqishme goditën edhe pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, raporton VOA.

Një video e filmuar me celular tregon ardhjen e një tornadoje, një nga dhjetëra stuhitë e fuqishme që kanë goditur Shtetet e Bashkuara gjatë fundjavës.

Autoritetet vlerësojnë se 11 shtete u goditën nga forca shkatërruese e tornadove që rrafshuan komunitete të tëra duke përmbysur edhe kamionë të tonazhit të rëndë.

Studia shkaktoi shembjen e pjesshme të çatisë së Teatrit Apollo në Belvidere të shtetit Illinoi, duke i marrë jetën një individi dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Autoritetet në qytetin Little Rock të shtetit Arkansas, njoftuan për disa viktima dhe dhjetëra të plagosur, disa në gjendje kritike.

“Kemi njoftime për automjete të përmbysura, dëmtime të rënda të banesave dhe bizneseve në atë komunitet. Ka pemë të rrëzuara, kabllo elektrike përtokë dhe janë dëmtuar tubacionet e gazit”, thotë Delphone D. Hubbard, shefi i zjarrfiksave të qytetit Little Rock.

Arkansa është një nga të paktën katër shtete që kanë njoftuar për viktima nga stuhitë. Guvernatorët e shteteve Illinoi, Arkansa, Indiana dhe Ajova shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në përpjekje për të ndihmuar komunitetet në nevojë.

Meteorologët thonë se një kombinim i ajrit të ngrohtë dhe të lagësht nga Gjiri i Meksikës me erërat e forta ndihmuan në formimin e këtyre stuhive.

“Ky lloj sistemi i fuqishëm stuhish po ndihmon për të bashkuar dy përbërës që zakonisht nuk bashkohen me këtë lloj fuqie. Kjo periudhë e vitit është e favorshme që kjo të ndodhë”, thotë Brian Carcione, me Shërbimin Kombëtar Metereologjik.

Të paktën një tornado në Arkansa regjistroi një shpejtësi maksimale ere prej 265 kilometrash në orë. Përveç humbjeve të jetëve dhe pronave, qindra mijëra njerëz nuk kanë energji elektrike.

Tornadot vdekjeprurëse të fundjavës vijnë një javë pasi stuhi të tjera të fuqishme shkaktuan shkatërrime në disa shtete jugore amerikane.