Vijojnë operacionet për shuarjen e zjarrit në Krujë, mbi 280 forca në terren

Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar gjatë gjithë natës me angazhimin e pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, transmeton Euro News Albania.

Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Në terren dhe nga ajri janë angazhuar: 21 mjete zjarrfikëse; 3 helikopterë; droni Bayraktar TB2; 2 dronë me kamera termike të AKMC-së; autoambulanca.

Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit”, thuhet në njoftimin e fundit të institucioneve.

Autoritetet bëjnë të ditur se operacioni vijon me koordinim të plotë nga toka dhe ajri, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit.

Gjatë natës u bë evakuimi i banorëve në zonën Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë, si pasojë e përhapjes së zjarrit.