Vepra “13” e Sulejman Rushitit rrëmbeu tre çmime në Festivalin Mbarëkombëtarë të Teatrove “Talia e Flakës” në Gjilan

Shfaqja “13” nën regji të Sulejman Rushitit nga Maqedonia e Veriut, prodhim i Teatrit “Adriana” në Ferizaj u shpërblye me tri çmime kryesore në Festivalin “Talia e Flakës” në Gjilan. Vepra “13” është një përpjekje për të përshkuar me gjuhë teatrale mënyrën se si historia jonë e ndërlikuar, me tragjeditë dhe triumfet e saj, vazhdon të na përcaktojë, transmeton Portalb.mk.

Në festivalin “Talia e Flakës” vepra “13” rrëmbeu këto çmime:

  • Ҫmimi “Shfaqja më e mirë”,  “13“ nga Teatri “Adriana” Ferizaj,
  • Ҫmimi “Regjia më e mirë”  Sulejman Rushiti me veprën “13“ nga Teatri “Adriana” Ferizaj,
  • Ҫmimi “Aktori më i mirë’ i’u nda aktorit Kushtrim Qerimi.
Ҫmimet e shfaqjes “13”. Foto: Sulejman Rushiti (Facebook)
Ҫmimet e shfaqjes “13”. Foto: Sulejman Rushiti (Facebook)

Regjisori Sulejman Rushiti për Portalb.mk tha se vlerësimet dhe çmimet nga ana e jurisë i percepton si një busullë orientimi, e cila i ndihmon në kërkimin e formave më të përshtatshme për një bashkëbisedim të thellë dhe të sinqertë me spektatorin. Pa këtë lidhje të ndjeshme, teatri do të mbetej i paqartë, i paqartësuar, dhe, në thelb, inekzistent.

“Për mua, teatri nuk është thjesht një vend pune, por një hapësirë ku pasioni dhe puna bashkohen në mënyrë të papërshkrueshme. Teatri është një rrugëtim shpirtëror, një fushë krijimi ku secila shfaqje është një akt i përkushtimit të pafund dhe dashurisë për atë që bëj. Nuk është një garë për të fituar vlerësime, por një proces i brendshëm i eksplorimit të emocioneve. Megjithatë, nuk mund ta injoroj rëndësinë që kanë vlerësimet e publikut dhe të jurisë.

Ato janë një pasqyrë e përpjekjeve tona dhe një pasqyrë e ndikimit që arti ka mbi ata që e shohin. Ajo që ka më shumë rëndësi është që shfaqja të rezonojë thellë me spektatorin. Ajo duhet të preki ndjenjat dhe mendimet e tij, të shkaktojë një reflektim të sinqertë dhe, përfundimisht, të pëlqehet. Sepse kur arti arrin të kapë shpirtin e atij që e përjeton, ai shpërthen në një formë të vërtetë dhe të pashlyeshme”, tha Rushiti.

Në përmbyllje të “Flakës së Janarit 2025” është mbajtur Gala Mbrëmja në të cilën janë shpërblyer më të mirët në të gjitha shtyllat e “Flakës…”.

Kjo mbrëmje filloi me muzikë të zgjedhur, kurse në përmbyllje të këtij manifestimi, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina- Bunjaku ka falënderuar nënën Stanë, e cila u dha bukë luftëtarëve të UÇK-së.

Pamje nga aktiviteti “Talia e Flakës”. Foto: Komuna e Gjilanit (Facebook)
Pamje nga aktiviteti “Talia e Flakës”. Foto: Komuna e Gjilanit (Facebook)

Bunjaku në emër të kryetarit Alban Hyseni ka thënë se ky festival është një kujtim artistik për dëshmorët e rënë në janarët e përflakjes në synimin për lirinë. “Flaka…” filloi si kujtim për 17 janarin e kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, për 17 Janarin e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për Janarin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës si kujtim dhe kushtrim i vazhdimit të luftës për liri si dhe për Dëshmorët e Kosovës të rënë në janarët e përgjakshëm deri në luftën heroike të UÇK-së.

“Jemi shumë të lumtur që sonte në përvjetorin e 34 të manifestimit mbarëkombetarë të “Flakës…” jemi të gjithë bashkë në kryeqendrën e Anamoravës në Gjilan, aty ku takohen vargmalet e Karadakut me Gollakun dhe i zgjasin dorën Preshevës e Shkupit”, është shprehur Bunjaku.